Londër – Ministri i Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, Nasip Naço, po zhvillon disa takime të nivelit të lartë, në kuadër të një vizite pune disa ditore në Mbretërinë e Bashkuar.
Naço ka marrë pjesë në ceremoninë tradicionale të hapjes së Vitit Ligjor në Angli dhe Uells, i ftuar nga Sekretari i Shtetit për Drejtësinë, Chris Grayling, autoriteti më i lartë përgjegjës për funksionimin efikas dhe pavarësinë e gjykatave, më të cilin është takuar gjatë pritjes tradicionale me Lordët.
Pas kësaj ceremonie tradicionale në Westminster Abbey, e cila mbledh çdo vit gjyqtarë, Ministra të Drejtësisë nga e gjithë bota, si dhe personalitete të shquara të fushës së drejtësisë nga Anglia, Uellsi dhe vende të tjera të BE-së, Naço ka zhvilluar një takim me homologun e tij, Ministrin e Drejtësisë dhe të Drejtave Civile, Simon Hughes.
















