Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço ndodhet në Spanjë në kuadër të intensifikimit dhe thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët në sistemin e drejtësisë mes dy vendeve. Në nisje të axhendës së takimeve ministri Naço u prit nga homologu i tij spanjoll Rafael Catala. Thelbi i takimit u përqendrua në reformat legjislative në sistemin e drejtësisë në të dyja vendet, iniciativat e përbashkëta legjislative antikorrupsion, bashkëpunimi në çështjet e marrëdhënieve juridiksionale ndërkombëtare në fushën civile dhe penale. Në vijim u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm me qeverinë spanjolle dhe qasja e njëjtë e të dy qeverive në luftën kundër korrupsionit, terrorrizmit dhe narkotrafikut. Ministri Naço vlerësoi ndihmën e dhënë dhe shprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për të marrë nga Spanja eksperiencën më të mirë në lidhje me reformën në sistemin e drejtësisë.
Nga ana e tij ministri Catala u shpreh se këto reforma janë në të njëjtën linjë me nismat ligjore dhe principet që qeveria spanjolle po realizon, gjë që e lehtëson vendosjen e bashkëpunimit duke garantuar se ndihma dhe asistenca nuk do të mungojnë. Ministri Naço ka realizuar në vijim takime të tjera të nivelit të lartë me José Ramón Navarro, President i Audiencës Nacionale, Carlos Lesmes, Presidentin e Këshillit të Përgjithshëm të Pushtetit Gjyqësor, institucion ky homolog me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Gjatë këtyre takimeve, Ministri i Drejtësisë u paraqiti zyrtarëve më të lartë të drejtësisë spanjolle një tablo të reformave të ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria Shqiptare, si dhe evidentoi vullnetin qeveritar për reformimin e institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë sikurse të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykatës së Lartë si dhe Gjykatës Kushtetuese. Gjatë takimit të zhvilluar me Navarro, u fol edhe mbi procesin e dixhitalizimit dhe implementimit në Audiencën Nacionale të sistemeve të reja elektronike në sistemin gjyqësor, sikurse dosja elektronike gjyqësore.
















