Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço mohoi dje akuzat e opozitës se po synohet uzurpimi i KLD-së. Në një intervistë për Top-Channel, ai tha se shkarkimi i nënkryetarit Elvis Çefa dhe i anëtarit Lelçaj nuk ndryshon raportet e përfaqësimit në Këshillin e Lartë. 10 nga 15 anëtarë që ka ky këshill vijnë nga Konferenca Gjyqësore, ndaj emërimi i dy anëtarëve të rinj në të nuk do të ndryshojë asnjë raport votash. “Nisma për shkarkimin e Çefës dhe Lelçajt vjen pas një rekordi 1-vjeçar të tyre, kur mes shumë shkeljesh të tjera, nuk është futur në rendin e ditës apo mbështetur asnjë propozim i ministrit të Drejtësisë në këtë Këshill, sikundër ishte edhe rasti më i fundit i ndryshimeve ligjore për organizimin dhe funksionimin e KLD-së”, – argumentoi ministri i Drejtësisë. Ai i cilësoi dy anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi, moralisht përgjegjës për situatën refraktare në KLD. “Përsa kohë nuk duan të bëjnë reforma, janë refraktarë dhe rrinë në ato qëndrime që kanë patur, pra nuk kërkojnë që të ndryshojë situata në KLD, për rrjedhojë të ndryshojë edhe në sistemin gjyqësor, sigurisht që dy anëtarët e zgjedhur nga Parlamenti kanë përgjegjësi morale, ligjore dhe individuale, përsa kohë nuk kryejnë detyrat e përcaktuara me ligj. Aty ka procesverbale, ku zoti Çefa ka drejtuar seancën të deleguar nga Presidenti i Republikës dhe votimi është individual dhe nuk është kolegjial dhe në asnjë rast nuk ka mbështetur ministrin e Drejtësisë në të gjitha kërkesat”, – u shpreh Naço. I vetëdijshëm se KLD ka probleme më të thella se vetëm dy anëtarët e tij, Naço deklaron se ajo që po kërkohet të korrektohet në këtë rast është rivendosja e balancave institucionale të formulës së KLD-së. “Ka të bëjë më shumë me frymën e sjellë në KLD, se sa llogari votash. Për sa kohë që edhe këta dy anëtarë, nga muaji nëntor, kanë votuar dhe mbajnë qëndrimin që mbledhjet të bëhen jashtë transparencës, sigurisht që ka vend për të ndërhyrë dhe kjo është çështje fryme”, – thotë Naço. Por ministri thotë se pavarësisht kësaj nisme, reforma në drejtësi do të jetë e thellë dhe starti i saj do të jetë konferenca e paralajmëruar e datës 6 tetor. “Reforma që ne kërkojmë do të jetë e thellë. Unë besoj se do të prekë edhe KLD-në, Konferencën Gjyqësore Kombëtare, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Sigurisht, konferenca do të jetë një objekt debati për mendimin dhe vizionin e gjithsecilit”, – tha Naço. Nëse mazhoranca kërkon një reformë më të thellë në drejtësi, përse i paraprihet me nismën për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së? “Nuk kemi bërë asgjë më shumë, por KLD-në e kemi futur në shina, për të mbërritur në stacionin tjetër, reformën do ta bëjmë bashkë me partnerët ndërkombëtarë dhe bashkë me aktorët vendas”, – theksoi Naço.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...
















