Liderët e partive të koalicionit pasgjedhor LDK-AAK-N ISMA kanë thënë se do të jenë bashkë në formimin e institucioneve të vendit. Ata kanë theksuar se do të gjejnë zgjidhje, në rast se në Kuvend përsëritet situata e seancës konstituive të 17 korrikut.
Isa Mustafa ka thënë se Gjykata Kushtetuese mund të marrë çfarëdo vendimi, por në këtë vend kanë vendosur dhe do të vendosin shumica e deputetëve.
Haradinaj ka thënë se kanë qenë në dijeni se në rrugën e ndërtimit të institucioneve do të ketë pengesa nga “regjimi i Thaçit”.
Ndërsa Fatmir Limaj ka thënë se koalicioni LDK-AAK-NISMA “do të shkojë deri në fund” dhe do të ndërtojnë institucionet e vendit.
Liderët e tri partive të koalicionit pasgjedhor i kanë bërë këto deklarata pas takimit që kanë pasur sot (e enjte), ku janë përsëritur se puna ë tyre e ardhshme është që të ndryshojnë qeverisjen, e me këtë edhe vendin, transmeton Kosovapress.
Ata kanë theksuar se është praktikë e Hashim Thaçit “me e ngecë vendin dhe me i zhagitë proceset” dhe kanë theksuar senë këtë mënyrë Thaçi “vetëmsa do t’i forcojë pozicionet e shumicës politike në Kuvend”.
Mustafa ka thënë se ekspertët e partive të koalicionit janë duke punuar seriozisht për programin qeverisës.
“Gjykata mund të marrë çdo vendim, mirëpo deputetët janë ata që përfundimisht do të vendosin dhe kanë vendosë për këtë vend”, ka thënë Mustafa.
Ai ka bërë me dije se kanë diskutuar për hapat e mëtutjeshëm të cilët do t’i zhvillojnë lidhur me organizimin e tyre si treshe dhe lidhur me formimin e qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës.
E Ramush Haradinaj ka thënë se e kanë ditur që do të ketë pengesa nga, siç ka thënë ai, regjimi i Thaçit.
“E kemi ditë që në nisje që do të kemi pengesa. Pengesa nga regjimi i zotit Thaçi, regjim i cili në praktikën e vet të zbatimit e vërtetoi dhe dëshmoi publikisht, do të thotë para dy milionë qytetarëve të vendit me zbatimin e seancës. E qytetarët e dinë, e kanë të freskët situatën me ulëset, situatën me rendin e ditës, edhe shkarkimin e zonjës Flora Brovina, prej kryesueses. Pra dy të tretat e deputetëve të vendit ja gjetën një zgjidhje asaj situate. Çdo pengesë që mundohet me u vendosë në këtë drejtim e ka zgjidhjen e vet. Pra, zgjidhja buron te dy të tretat e deputetëve të zgjedhur që e kanë dhënë betimin”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa Fatmir Limaj ka thënë se të gjitha institucionet e vendit e kanë për obligim të kryejnë detyrat e tyre në përputhshmëri me Kushtetutën dhe të mos bëhen pjesë e segmenteve.
“Ky koalicion do të shkojë deri në fund dhe ky koalicion ka me i ndërtu institucionet e Kosovës, jo pse është vullneti i jonë individual, por është vullnet i shumicës së deputetëve të Parlamentit të Kosovës”, ka thënë ai.
Limaj madje ka kërkuar nga të gjithë akterët që të pranojnë realitetin politik dhe, mbi të gjitha, “ato që janë të sanksionuara me ligj dhe Kushtetutë”.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...
















