“Miqësia e Kosovës me Selinë e Shenjtë, e ndërtuar nga arkitekti i pavarësisë sonë, Presidenti Historik, Ibrahim Rugova, është vlerë e posaçme e jona, të cilën do ta ruajmë dhe fuqizojmë edhe më tutje”, ka shkruar Mustafa.
Postimi i tij i plotë:
Të dashur miq,
Delegacioni i Kosovës është pritur me respekt dhe nderime të posaçme gjatë qëndrimit në Selinë e Shenjtë, me rastin e shenjtërimit të Nënës tonë Terezë.
Vet Papa Françesku rezervoi pritje të veçantë për Presidentin dhe mua në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës, duke na shprehur respektin e Selisë së Shenjtë për Kosovën dhe popullin e saj. U takova edhe me autoritete të tjera të larta të Vatikanit, si sekretarin e shtetit, Kardinalin Parolin dhe Nuncin Apostolik, Janusz.
Miqësia e Kosovës me Selinë e Shenjtë, e ndërtuar nga arkitekti i pavarësisë sonë, Presidenti Historik, Ibrahim Rugova, është vlerë e posaçme e jona, të cilën do ta ruajmë dhe fuqizojmë edhe më tutje.
Në Vatikan u shenjtërua Nëna jonë Terezë, u shpreh nderimi i posaçëm për popullin shqiptar kudo që jeton dhe erdhi në shprehje respekti për shtetin e Kosovës.






















