Një ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të Serbisë, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se në Kosovë do të ketë vetëm grumbullim të votave të qytetarëve serbë të Kosovës, për zgjedhjet në Serbi.
“Nuk flitet për zgjedhje klasike të Serbisë në Kosovë, por vetëm për grumbullim të votave nga serbët në Kosovë, të cilët kanë dyshtetësi. Sepse edhe në të gjitha vendet tjera, qytetarët që kanë dyshtetësi, kanë të drejtë që të votojnë. Këtë të drejtë edhe ne ua kemi siguruar me Kushtetutë”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se mekanizmin e realizimit të kësaj të drejte e kanë ofruar përmes Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë, (OSBE).
“Nuk lejojmë që dikush nga Serbia të vijë të organizojë vendvotime këtu. OSBE do t’i kryejë këto… janë diku rreth 5 qendra të grumbullimit të votimit. Vetëm grumbullohen ato vota, nuk numërohen këtu, nuk shpallen rezultatet këtu. Barten në Serbi si vota të qytetarëve që kanë dyshtetësi”, citohet Mustafa nga Radio Evropa e Lirë.
Kryeministri i Kosovës i ka bërë këto komente, duke iu përgjigjur insistimit të gazetarëve.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë, ditë më parë, ka njoftuar se do ta ndihmojë procesin e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë.
OSBE, me anë të një komunikate për media, ka thënë se “do të ndërmarrë një operacion të grumbullimit të votave në Kosovë për t’iu mundësuar personave me të drejtë vote qasje në zgjedhjet parlamentare serbe të datës 24 prill 2016”.














