Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa ka theksuar rëndësinë prioritare që Qeveria e Kosovës, përmes Programit të saj Qeverisës, i ka dhënë zhvillimit ekonomik, veçmas në fushën e bujqësisë.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, vlerësoi të arriturat në këtë fushë, në pikëpamje të rendimenteve të realizuara por edhe të bashkëpunimit me prodhuesit bujqësor.
“Kemi ndarë subvencione dhe grante të rëndësishme në këtë fushë dhe kemi krijuar një strukturë të prodhimit bujqësor të cilën nuk e kemi pasur më parë, që është edhe kontribut i bashkëpunimit ndërkombëtar, sepse kemi pas një përkrahje të mirë të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ekonomik-USAID-it, dhe të agjencioneve tjera”, theksoi kryeministri.
Ai vlerësoi përkrahjen në fushën e ekonomisë, duke vënë theksin në nevojën për të rritur prodhimtarinë e brendshme, në përpunimin e produkteve bujqësore dhe rritjen e eksportit dhe cilësisë së produkteve në eksport.
“Në këtë aspekt, unë jam i kënaqur me trendin e tanishëm, sepse kemi trend të rritjes së eksportit, kemi trend të rritjes ekonomike prej rreth 4 për qind ose mbi 4 për qind këtë vit, dhe kemi trend të bashkëpunimit të mirë ndërkombëtar ekonomik dhe tregtar me vendet fqinje, me tregun në regjion. Tani po përgatitemi që të jemi konkurrentë edhe në tregun evropian mbi bazën e aktivizimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim”, tha kryeministri Mustafa.























