Shefi i Qeverisë, Isa Mustafa po vazhdon të krenohet pse shkoi në një pjesë të Kosovës, duke përdorur rrugë malore. Vizitën e tij në Veri e ka konsideruar si forcim dhe shtrirje të sovranitetit të Kosovës.
Mustafa, në një postim në FB, ka renditur disa suksese, që sipas tij, kanë ndodhur gjatë kësaj jave.
Lexojeni të plotë publikimin e Kryeministrit në Facebook:
“Festuam 28 Nëntorin, morëm njohjen shumë të rëndësishme nga Singapori, ratifikuam Marrëveshjen e IPA-s me BE-në që na mundëson tërheqjen e 78 milionë eurove, si dhe përkujtuam Presidentin Rugova në 72 vjetorin e lindjes.
Po ashtu, bashkë me dy ministra mora pjesë në përurimin e urës që lidh dy komunat veriore të Republikës së Kosovës. Përkundër propagandës agresive të Beogradit, ju them me kënaqësi se Republika e Kosovës me vendosmëri po e fuqizon subjektivitetin e saj shtetëror, në të gjitha aspektet.
Listës së gjatë të sukseseve në ekonomi, procese integruese e fusha të tjera, po i shtohen edhe të arritura konkrete në shtrirjen e sovranitetit dhe fuqizimin e shtetësisë.
Rrugën e Kosovës drejt të ardhmes nuk mund ta bllokoj askush dhe në këtë rrugë nuk mund të na vonojë askush. Këtë po e dëshmojmë në praktikë dhe në terren, dita e ditës!”, shkruan ai.





















