Anëtari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se Kushtetuta që sot po e feston gjashtë vjetorin e ndalon bashkimin kombëtar, nuk e përmend askund në preambulë asnjë fazë të luftës çlirimtare të popullit shqiptar, nuk përmban marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të fushës socio-ekonomike, dhe ka një sërë zbrastësirash të mëdha, të cilat, sipas tij, ndihmojnë që ta bëjnë këtë shtetin tonë edhe ashtu të brishtë krejtësisht jofunksional.
Sipas tij, “qershia mbi tortë” nuk janë këto të meta, por pamundësia për t’u ndryshuar ato përmes një procesi të zakonshëm legjislativ (siç ndodh në vendet e tjera), sepse kjo Kushtetutë nuk mund të ndryshohet pa 2/3 e deputetëve të pakicave (të cilët do të jenë 20).
“Një sërë ligjesh të rëndësishme nuk mund të ndryshohen pa 1/2 e deputetëve të pakicave. Këtë e panë edhe entuziastët e kësaj kushtetute në fund të këtij mandati, kur nuk u arrit që ajo të amendohet as sa i përket shndërrimit të FSK-së në FAK e as sa i përket reformës zgjedhore (zgjedhjes së presidentit nga qytetarët). Është për të qeshur, kur më kujtohen sot e 6 vjet të ngazllyerit dhe ‘shkruesit’ e kësaj kushtetute duke e cilësuar atë si më të mirën në botë e Evropë. Dhe të gjithë ne të cilët që atëherë i kishim të njëjtat vërejtje sikur sot, dukeshim ashtu siç zakonisht duken ata që janë pakicë në kohëra të vështira: të çmendur e nihilist”, ka shkruar ai.













