Në sallën e gjykimit mungoi vetëm mbrojtësi i të akuzuarës Gorani, avokati Afrim Salihu, mungesa e të cilit u bë shkak që seanca të shtyhet për 12 korrik.
E pandehura Gorani tha se nuk dëshiron që të vazhdojë pa avokatin e saj, e këtë gjë e pa të arsyeshme edhe trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Valon Kurtaj, i cili tha se kjo mund të jetë kufizim i të drejtës për mbrojtje në procedurë.
Kurtaj tha po ashtu se vetëm një gjë e ka ndalë që mos ta caktoi një avokat sipas detyrës zyrtare.
“Kam dashur që të ta caktoj një avokat sipas detyrës zyrtare, por jam ndalë, pasi kam marrë letrën tende që e keni dërguar nga Qendra Korrektuese. Ju në këtë letër keni thënë se a mundet të prezantoi në seancë vetëm avokati juaj”, kështu iu drejtua Kurtaj të pandehurës Gorani.
Në këtë rast gjykatësi Kurtaj tha se e kishte kuptuar se e pandehura në fjalë ka të angazhuar një avokat me autorizim, dhe nuk e kishte parë të nevojshme që të caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare.
Ndryshe, Zana Kotorri, aktualisht është udhëheqëse e departamentit për kontrollin e tregut me mallra strategjike në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, por kjo e fundit, para pak ditëve, e ka pezulluar nga puna me pagesë 50% të pagës mujore, për shkak të procedurës penale që zhvillohet ndaj saj.
Sipas aktakuzës, Kotorri dhe Berisha ishin marrë vesh që të gjejnë persona të interesuar për subvencione nga Ministria për Komunitete dhe Kthim dhe pastaj shumën e subvencioneve të ndajnë përgjysmë, ashtu që gjysmën e shumës ta marrë e pandehura Kotorri dhe gjysmën tjetër, e pandehura Berisha. Sipas aktakuzës, përmes Berishës, e pandehura tjetër Ardiana Gorani kishte rënë në kontakt me Kotorrin, e ku kjo e fundit duke tejkaluar kompetencat e saj, ia kishte përgatitur dokumentet për aplikim për subvencione, të pandehurës Gorani.
66.465.00 euro ishte shuma e subvencionit të projektit të shoqatës SHIPPL, me emër “Duam dhe mundemi së bashku”, e të cilat mjete pas ndarjes nga ana Ministrisë, të pandehurat i kishin ndarë mes tyre. Gjithnjë sipas aktakuzës, 33.232.00 euro i kishte marrë e pandehura Kotorri, 15.00.00 euro i kishte marrë Hana Berisha dhe pjesën tjetër e pandehura, Gorani.
Në aktakuzën që tashmë e përfaqëson, prokurori Haki Gecaj, theksohet gjithashtu se të pandehurat, për çdo përfitues të subvencioneve kërkonin përqindje që shkonte nga 30 deri në 50 %, nga shuma e subvencioneve. Mbi këto fakte, kjo prokurori akuzon të pandehurat, Kotorri, Berisha dhe Gorani, se në bashkim kriminal, kanë kryer veprën penale të mashtrimit lidhur me subvencionet, ndërsa Zana Kotorri edhe për veprën, “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje të ryshfetit”. Hana Berisha dhe Ardiana Gorani, ngarkohen gjithashtu edhe me veprën penale “dhënia e ryshfetit”.






















