Të gjitha ato familje që kanë përfituar shtëpi banimi me kosto të ulët nga Enti Kombëtar i Banesave, por strehimi i të cilave rrezikohet për shkak të pamundësisë për të kryer pagesat mujore si rezultat i papunësisë, do t’u ofrohet mundësi punësimi.
Në ditën e parë të Panairit të Punës 2016, Enti Kombëtar i Banesave (institucion me vetëfinancim, në varësi të Ministrisë së Zhvillimit Urban) dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit nënshkruan marrëveshjen që krijon këtë lehtësi.
Do të jetë zyra e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, e cila do t’u vijë në ndihmë këtyre familjeve për t’i orientuar në tregun e punës si edhe për t’u ofruar trajnime për profesione të veçanta.
Doris Andoni, drejtoresha e Entit Kombëtar të Banesave tha se ky ent numëron debitorë rreth 14 për qind të klientëve që kanë përfituar strehim. 54 për qind e debitorëve kanë shkaqe ekonomike, për arsye të papunësisë. “Duke evidentuar çdo debitor dhe problematikën që ai ka, këto familje do të kenë përparësi për punësim dhe trajnime, në mënyrë që të dalin nga varfëria dhe të kryejnë pagesat. Ne do të rishikojmë kontratat me ta, për të lehtësuar pagesat duke i shtrirë ato në kohë”, u shpreh Andoni.
Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Artur Micko, e cilësoi këtë marrëveshje si shumë të rëndësishme, veçanërisht për familjet që kanë përfituar strehim nga EKB-ja dhe rrezikojnë të nxirren jashtë për shkak të pamundësisë për të paguar.















