Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Muja ka bërë me dije se vetëm duke e rrëzuar me votë këtë çështje në Kuvend, fillon edhe zgjidhja e problemit të demarkacionit. “Koalicioni nuk i ka votat për këtë çështje. Pretendimet e Qeverisë se i ka votat për demarkacion janë vetëm mashtrime. Aq më keq që këta edhe miqtë tanë ndërkombëtarë po i vënë në pozita të këqija, duke i shtyrë ata të thonë se demarkacioni duhet të votohet. Mirëpo, ne u themi miqve ndërkombëtarë, se do të votojmë kundër këtij varianti të demarkacionit, sepse vetëm në këtë mënyrë zgjidhet problemi”, ka thënë Muja.
Ai ka treguar se versionin aktual të demarkacionit nuk do ta përkrahin as deputetët e PDK-së që deri më tani kanë hezituar ta deklarojnë votën e tyre për këtë çështje. Sipas Mujës, PDK-ja në konventën e fundit të saj ka marrë një qëndrim të qartë rreth demarkacionit. “Versioni që pritet të vijë në Kuvendin e Kosovës dihet publikisht që as deputetët e PDK-së të cilët edhe nuk duan të përgjigjen për këtë çështje nuk do ta përkrahin. Konventa (e PDK-së) është përgjigjur për të gjithë deputetët e PDK-së. Pra, duhet të ketë konsensus nacional për këtë çështje. Nëse nuk arrihet ky konsensus, atëherë ne duhet ta rrëzojmë me konsensus këtë variant të demarkacionit”, ka thënë deputeti Muja.
Më tej, deputeti i PDK-së ka vlerësuar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje sa më shpejt, pavarësisht prej çështjes së demarkacionit. Ai ka thënë se po pret që krerët e PDK-së të ulen me ata të LDK-së dhe t’u tregojnë se ky koalicion duhet të marrë fund. “Natyrisht se Qeveria duhet të bjerë. Mendoj se kjo Qeveri duhet të bjerë edhe për qëllime të tjera. Ka maskime shumë të mëdha në zhvillimin ekonomik. Pra, nuk janë të vërteta ato që i deklaron Qeveria në fushën e zhvillimit ekonomik”, ka thënë Muja, duke u shprehur i bindur se në zgjedhjet e reja pa asnjë problem PDK-ja do të dalë forca e parë politike në vend.
“Epoka e re”: Z. Muja, kryeministri ka paralajmëruar se në këtë javë mund të procedohet demarkacioni me Malin e Zi në Kuvend. Është koha e duhur për këtë çështje?
Muja: Mendoj se z. Mustafa po taktizon duke blerë kohë për të mos paraqitur dështimin e kësaj Qeverie e cila e merr demarkacionin si pjesë kryesore të problemeve në Kosovë e që, në fakt, ky nuk është problemi kryesor në vend. Këtu janë shumë probleme të tjetra të cilat mundohet t’i fshehë kjo Qeveri. Demarkacioni është lehtë i zgjidhshëm, mirëpo asnjëherë Qeveria nuk ka treguar interes ta trajtojë këtë çështje në Kuvend në mënyrë normale dhe as nuk ka pasur interes të dëgjojë ndonjë variant i cili mund ta ofrojë zgjidhjen e këtij problemi. Prandaj, këtë unë e quaj një lojë që është duke e bërë Isa Mustafa.
“Epoka e re”: Po cili është qëndrimi i PDK-së për këtë çështje?
Muja: Mendoj se PDK-ja e ka qëndrimin e saktë për demarkacionin. Në Konventën e fundit PDK-ja ka marrë qëndrim se pa një konsensus nacional nuk mund të merret asnjë vendim kapital për çështjen e demarkacionit. E mira e kësaj pune do të ishte që demarkacioni të vijë në Kuvendin e Kosovës dhe ky version të rrezohet sepse është i gabuar. Isa Mustafa e di se Qeveria e tij, që unë i them ‘Qeveria e Riinvestit’ dhe ‘Qeveria e Facebook-ut’, e ka të qartë se ky demarkacion është i gabueshëm. Mbi të gjitha, në matjet e fundit që janë bërë për matjen e territorit të Kosovës dhe Malit të Zi, del se territori i Malit të Zi është rritur për 82 km katrorë. Kjo rritje është bërë në dëm të territorit të Republikës së Kosovës.
“Epoka e re”: A do të thotë kjo se, nëse nuk do të ketë konsensus, PDK-ja nuk do ta votojë demarkacionin?
Muja: Nëse votohet bëjnë shkelje ligjore, meqenëse deputetët, sipas Kushtetutës, janë të lirë të vendosin vetë, edhe mbi bazën e sovranit. Por, mendimi i sovranit është që pa konsensus nacional kjo çështje të mos votohet. Prandaj, PDK-ja e ka të qartë këtë. Një Qeveri e cila nuk është në gjendje të marrë vendime të mëdha për vendin, ajo Qeveri duhet të largohet sa më shpejt.
“Epoka e re”: Ju si deputet disa herë keni dorëzuar në Kuvend propozime për zgjidhjen e kësaj çështje. Keni marrë ndonjë përgjigje nga Qeveria?
Muja: Jo. Është një injorim total që u është bërë propozimeve të mia. Në fakt, ato nuk kanë qenë ide të mia, por të ekipit profesional me të cilën unë kam punuar dhe që më ka orientuar. Fatkeqësisht, askush nuk është marrë me këto propozime. As deputetët e ndonjë grupi parlamentar, as Qeveria. Prandaj, kjo tregon se Qeveria nuk është fare e interesuar të gjejë një rrugëzgjidhje. Qeveria është e interesuar ta zvarritë këtë çështje. Versioni që pritet të vijë në Kuvendin e Kosovës dihet publikisht që as deputetët e PDK-së të cilët edhe nuk duan të përgjigjen për këtë çështje nuk do ta përkrahin. Konventa e PDK-së është përgjigjur për të gjithë deputetët e PDK-së. Pra, duhet të ketë konsensus nacional për këtë çështje. Nëse nuk arrihet ky konsensus, atëherë ne duhet ta rrëzojmë me konsensus këtë variant të demarkacionit. Siç dihet, unë kam dhënë tri propozime se si duhet të rrëzohet me konsensus kjo çështje. Në pikën e parë duhet të thuhet: ‘Varianti aktual duhet të rrëzohet sepse është i papranueshëm për Republikën e Kosovës’. Në pikën e dytë duhet të thuhet: “Çdo prononcim zyrtar i Qeverisë ose zyrtarëve të Republikës së Kosovës që kanë thënë se demarkacioni është në rregull, është i papranueshëm për t’u përdorur nga palët e treta në një bisedim të mundshëm’. Kurse në pikën tretë duhet të thuhet: ‘Të formohet një komision shtesë, duke e thirrur edhe komisionin e Murat Mehës, në mënyrë që të ulemi së bashku me komisionin e Malit të Zi për ta biseduar këtë çështje’. Jam i bindur se brenda një dite komisioni i Malit të Zi e di saktë se ku janë bërë gabimet. Në materialet e mia unë nuk kam ofruar harta imagjinare, por harta reale të Malit të Zi, të cilat janë të protokolluara në BE në vitin 2014.
“Epoka e re”: Besoni se koalicioni qeverisës i ka votat për ratifikimin e demarkacionit?
Muja: Koalicioni nuk i ka votat për këtë çështje. Pretendimet e Qeverisë, se i ka votat për demarkacionin, janë vetëm mashtrime. Aq më keq që këta edhe miqtë tanë ndërkombëtarë po i vënë në pozita të këqija, duke i shtyrë ata të thonë se demarkacioni duhet të votohet. Mirëpo, ne u themi miqve ndërkombëtarë se ne do të votojmë kundër këtij varianti të demarkacionit sepse vetëm në këtë mënyrë zgjidhet problemi.
“Epoka e re”: Si mendoni se zgjidhet ky problem?
Muja: Nëse rrëzohet ky variant i demarkacionit atëherë fillojnë bisedimet me Malin e Zi. Nëse Mali i Zi nuk pranon, shkojmë në arbitrazh. Pastaj çfarëdo vendimi që do ta marrë arbitrazhi, të bazuar mbi dokumentacione, ai version në Kuvendin e Kosovës do të vijë vetëm formalisht. Pra, duke votuar kundër këtij varianti të demarkacionit, problemi do ta marrë rrugën e zgjidhjes.
“Epoka e re”: Nëse rrëzohet ky variant, cili duhet të jetë fati i Qeverisë?
Muja: Natyrisht se Qeveria duhet të bjerë. Mendoj se kjo Qeveri duhet të bjerë edhe për qëllime të tjera. Ka maskime shumë të mëdha në zhvillimin ekonomik. Pra, nuk janë të vërteta ato që i deklaron Qeveria në fushën e zhvillimit ekonomik.
“Epoka e re”: Pavarësisht prej votës ndaj demarkacionit, vendi duhet të shkojë në zgjedhje?
Muja: Natyrisht. Askush nuk mund ta arsyetojë talljen që Qeveria për këto tri vjet ka bërë me Kuvendin dhe krejt Kosovën. Tani vetëm tre veta e mbrojnë demarkacionin në Kosovë. Pra, këtë version të demarkacionit e mbron vetëm një pjesë e Qeverisë. Dihet se zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi e ka kundërshtuar në Qeveri këtë variant të demarkacionit. Këtë variant e mbron Isa Mustafa, Tomor Qela dhe i ashtuquajtur intelektual, akademiku Hivzi Islami.
“Epoka e re”: Cili është disponimi i PDK-së për zgjedhje të parakohshme?
Muja: Edhe sondazhet po tregojnë se PDK-ja është partia e parë në vend. PDK-ja është subjekti vetëm politik që ka shtrirje më së miri në vend dhe ka besueshmëri te qytetarët. Mendoj se PDK-ja është e gatshme t’i menaxhojë edhe zgjedhjet e parakohshme dhe të dalë përsëri si partia e parë në vend pa asnjë problem.
“Epoka e re”: Si kohë e përshtatshme për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve është përmendur muaji qershor. Sa besoni se kjo do të jetë koha më optimale e zgjedhjeve të parakohshme?
Muja: Nuk mund të flas për kohën apo datën. Janë organet e PDK-së që në fund vendosin për këtë çështje. Për mua është e qartë se kjo Qeveri duhet të shkojë sa më shpejt. Unë nuk e pranoj si Qeveri të Republikës së Kosovës, sepse ka humbur legjitimitetin dhe ka krijuar një shkëputje nga populli dhe parlamenti.
“Epoka e re”: Tani Nisma për Kosovën është duke i mbledhur nënshkrimet për një mocion mosbesimi kundër Qeverisë. Do ta përkrahni këtë mocion?
Muja: Nuk do t’i përkrahim mocionet e opozitës. Unë po kërkoj që PDK-ja të ulet me LDK-në dhe të tregojnë se nuk mund të shkohet më tutje. Nisma tash e ka kuptuar se nuk është duke funksionuar ky koalicion dhe dëshiron të marrë poenë politikë. Nisma deri më tani nuk e ka përkrahur asnjë iniciativë timen për demarkacionin, brenda të cilave ka qenë edhe mundësia e ngritjes së një mocioni, prandaj edhe unë nuk e përkrah këtë mocion.






















