Banorët e shumë fshtrave tëFierit dhe Vlorës, krahas përmbytjeve të mijërave hektarë tokë, po vuajnë edhe mungesën e energjisë si rezultat i avarisë së motit të keq.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bën me dije se në zonën e Fieritdhe Vlorës kanë mbetur pa energji elektrike disa komuna dhe fshatra.
Grupet e punës së OSHEE janë në terren për verifikimin e avarive dhe normalizimin e situatës.
Kështu, në rrethin e Vlorës kanë dalë jashtë pune 3 fidra, në n/stacionin Kafaraj, duke lënë pa energji fshatrat Fitore, Dëllenje, Delisufe, Poro.
Në komunën Levan, është stakuar fidri nr.20 për efekt sigurie, pasi 6 kabina janë nën ujë, duke lënë pa furnizim fshatrat Levan (një pjesë), Bishan, Cerven, Bocovë, Qarr, Ferras, Bashkim dhe Pishë Poro.
Po për efekt sigurie, për të mos rrezikuar jetën e banorëve, është stakuar fidri nr.25, duke lënë pa energji fshatrat Novoselë dhe Akerni.
Ndërkaq në Qarkun e Fierit, ka dalë jashtë pune një fidër në n/stacionin Jagodinë, i cili është stakuar pasi përcjellësi i rrymës elektrike ka rënë në lumin Seman. Për pasojë, ka mbetur pa energji komuna “Mbrostar Ura”.
Në rrethin Ballsh, ka dalë jashtë pune n/Stacioni Poçem (aset i ARMO-s), i cili është përmbytur i gjithi, prej të cilit furnizoheshin 4 fidrat e OSHEE, duke sjellë mungesën e energjisë elektrike për fshatrat: Kut, Çarrush, Kremenar, Ninesh, Bejar, Gadurove, Poçem, Drizar, si dhe ujësjellësin Mallakastër – Ballsh.
















