Shefi i këtij Misioni, Alojz Peterle, deputet i Parlamentit Evropian tha se votuesve në përgjithësi u janë ofruar informacione pluraliste për forcat politike që ishin në garë.
“Megjithatë, zgjedhjet u ndikuan negativisht nga dobësitë e vjetra, veçanërisht nga listat e pasakta të votuesve që janë të cenueshme ndaj mashtrimeve, një sistem zgjedhor që lë mundësi për abuzim, dhe një sistem me shumë të meta për votim jashtë Kosovës”, theksoi Peterle.
Andaj, ai kërkoi reforma për adresimin e këtyre çështjeve.
Një vëmendje e posaçme iu kushtua zonave të banuara me shumicë serbe.
“Procesi zgjedhor u dëmtua nga frikësimi dhe rastet e dhunës brenda komunitetit serb të Kosovës kundër kandidatëve dhe votuesve. Po ashtu pati një reagim të pamjaftueshëm nga prokuroria dhe policia ndaj atyre incidenteve”, theksoi Peterle. Andaj, sipas tij, “kjo ngrit pyetje rreth besueshmërisë së procesit demokratik në këto zona”.
Dita e zgjedhjeve, sipas Misionit Vëzhgues të BE-së ishte e qetë dhe nuk është vërejtur ndonjë incident i theksuar, përfshi edhe në veriun e Kosovës.
Misioni Vëzhgues i Bashkimit Evropian kishte 100 vëzhgues në Kosovë për monitorimin dhe vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 qershorit.























