Miq të vjetër në anë të kundërta të ligjit do të mundohen të ruajnë respektin dhe dashurinë që kanë për njëri-tjetrin. Është ky subjekti i filmit “My Friends”, realizuar nga regjisori shqiptar, Kreshnik Seseri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një kastë aktorësh të famshëm të Hollivudit e që do të shfaqet sonte në mbrëmje premierë në Tiranë.
Dramë, aksion, dhunë dhe eros…është ky filli i miqve që mban lidhur filmin “My friends” të regjisorit shqiptar, Kreshnik Seseri, në të cilin interpretojnë aktorë të njohur të Hollivudit.
Pas pesë vitesh produksione, regjisori e sjell produktin përfundimtar në Shqipëri, duke e shfaqur premierën e filmit sonte në mbrëmje në kinema “Millenium” në kryeqytet.
Ky është rikthim artistik i regjisorit pas 18 vitesh largim.
“Filmi është interesant dhe shpresoj që do t’i tërheqë njerëzit ta shohin sepse mund të them se ka vlera. Kinematografia shqiptare mendoj që është ende shumë prapa, mendoj që kemi shumë histori për të treguar dhe jemi përqendruar vetëm në disa nga to, ndërsa bota pret të shohë histori të tjera të reja”, – ka thënë regjisori.
Ky film po ashtu është pranuar në një nga festivalet më të mira në Nju Jork, në “New Makers Film”, ku pritet që do të dalë suksesshëm, pasi edhe nga ana buxhetore filmi ka kushtuar shumë, mbi 2 milionë dollarë.
Miq të vjetër në anë të kundërta të ligjit do të mundohen të ruajnë respektin dhe dashurinë që kanë për njëri-tjetrin, kjo është vetëm një pjesë e shkurtër që e tregon filmin “My Friends” të regjisorit shqiptar, Kreshnik Seseri, i cili premierën do ta ketë më datë 28 maj në Tiranë, ndërsa më 29 maj në Prishtinë.
Në kastën e aktorëve të këtij filmi bëjnë pjesë aktori me origjinë shqiptare, Marko Caka, më pas Brian Anthony, Steve Dash, Reno Laquinanto, Vincente Riviezzo etj.
Ky film që është xhiruar në shtete të ndryshme të SHBA-së dhe flet për mafien edhe brenda policisë, ka të vërtetë edhe nga jeta reale që e ka rrethuar Seserin përgjatë viteve. Në këtë film, përpos aktorëve amerikanë është edhe aktori shqiptar, Marko Caka, i cili tashmë është angazhuar në filma të ndryshëm amerikanë, ku luan përkrah aktorëve të mëdhenj, sikurse: George Cloney, Ben Afleck…
“Unë kam të paktën 15 vite që merrem me film, kam shkruar, por gjithashtu jam edhe producent dhe regjisor. Kur kam shkuar në fillim në Amerikë ka qenë pak e vështirë, sepse gjuhën nuk e flisja mirë, dhe kur je i huaj ka shumë paragjykime dhe si aktor gjithmonë më janë ofruar role për mafiozët e emigrantët. Mua filloi të më bezdiste ky fakt dhe kështu fillova të shkruaj sepse e dija që e kisha këtë gjë në vetvete. Kështu fillova dhe bëra disa filma të shkurtër”, – tha Seseri.
Regjisori shqiptar studioi në shkolla të njohura të filmit në Amerikë, si “Beverly Hills Play House” dhe Universitetin e “Los Angeles South”. Ai ia doli të luajë nëpër filma e të bëjë skenarë. Kreshniku u bë anëtar i Shoqatës së Aktorëve dhe Skenaristëve, ku bëjnë pjesë aktorët më të mirë në botë.
“Duke biseduar me shokët në Filadelfia për kohën kur ishim adoleshentë dhe mënyrën sesi jeta na ka dërguar në drejtime të ndryshme, dy nga ta punojnë në polici dhe më këshilluan që pas filmave të shkurtër të nisja diçka më të gjatë, më interesante.
Pas një bisede të gjatë doli që shokët tanë me të cilët ishim shumë të lidhur janë marrë me gjëra të ndryshme, e ja kështu, duke biseduar për gjëra të ndryshme filluam edhe shkrimin e filmit”, – ka thënë regjisori, duke theksuar se ai kishte ndërmend ta bënte filmin vetëm me 38 mijë dollarë të kursyera, por kur pa se duheshin ende, ishte familja ajo që e mbështeti. Në fund edhe dy aktorë, përfshirë Vincent Riviezzo, e ndihmuan financiarisht regjisorin shqiptar.
Regjisori shqiptar ka studiuar në shkolla të njohura të filmit në Amerikë, si “Beverly Hills Play House” dhe Universitetin e “Los Angeles South”. Ai ka interpretuar nëpër filma, por ka shkruar edhe skenarë. Kreshniku u bë anëtar i Shoqatës së Aktorëve dhe Skenaristëve, ku bëjnë pjesë aktorët më të mirë në botë.
Regjisori Kreshnik Seseri vendosi që një prezantim të shkurtër të filmit ta bëjë edhe në Kosovë, më 29 maj.


















