Qeveria ka bërë gati listën e re të ish-të përndjekurve të cilët do të dëmshpërblehen. Ministria e Financave ka publikuar sot listën me emrat e rinj të përfituesve të fondit të parashikuar për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve. Pagesa do të kryhet për të gjithë trashëgimtarët e ish të dënuarit politik.
Trashëgimtarët duhet të dorëzojnë dokumentet e kërkuara sipas dispozitave ligjore në fuqi. Dosjet jo të plota do të lihen për në fund të procesit të pagesës së këstit të parë, qoftë sikur të mungojnë dokumentet e një personi të vetëm përfitues të dëmshpërblimit.
Të gjithë trashëgimtarët e ish të dënuarit duhet të sigurohen pranë bankës në të cilën kanë hapur llogarinë, që llogaria e tyre është aktive. Në rast se llogaria nuk është aktive, shuma e dëmshpërblimit kthehet mbrapsht në buxhet duke sjellë vonesa dhe ndërlikime të panevojshme.
Kur kemi ndryshim të identitetit, Emër/Mbiemër, apo në rastet kur në certifikatë ndryshon emri ose mbiemri, qoftë edhe me një gërmë të vetme në krahasim me dëshminë e trashëgimisë apo prokurës, kartës së identitetit dhe çdo dokumenti tjetër të nevojshëm, duhet medoemos që në të gjitha dokumentet emrat të jenë të njëjtë me atë që është shkruar në certifikatën e lëshuar nga gjendja civile. Në raste se ka transkriptime të gabuara gjatë kohës nga një certifikatë e një periudhe të caktuar, atëherë këto ndryshime duhet të pasqyrohen brenda formatit të certifikatës apo edhe të një vërtetimi të veçantë të lëshuar nga zyra e gjendjes civile.
















