Ministria e Financave ka dërguar dosjen për hetim të mëtejshëm në Prokurori, duke kallëzuar penalisht ish-drejtuesin e këtij institucioni, Pajtim Shehu.
Shehu ngarkohet me përgjegjësi për të gjitha shkeljet e evidentuara në tërësinë e këtij raporti, të urdhëruara, kontrolluara, miratuara, dhe firmosura prej tij në ushtrim njëherazi të të gjitha funksioneve të papajtueshme në fushën e menaxhimit financiar, si dhe për të gjitha rastet dhe shumat e konstatuara me dëm ekonomik për buxhetin e shtetit për faj të tij.
“Drejtoria e Auditit të Brendshëm, në Ministri të Financave ka përfunduar auditimin në Autoritetin e Auditimit të Programeve të Asistencës, Akredituar nga Bashkimi Europian (Drejtoria e Auditit për projektet e BE-së). Shumica e shkeljeve të konstatuara në auditim kanë të bëjnë me shkelje dhe parregullsi financiare, të paraqitur nga Titullari i Agjencisë si dhe financierja e kontraktuar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.
Në njoftimin e Ministrisë së Financave, thuhet se në tenderat e prokurimeve publike të tre viteve të fundit, punonjës që figurojnë si anëtarë komisioni, nuk kanë qenë fare prezentë.
“Vartësit e kanë akuzuar me shkrim se nuk kanë dijeni, as kanë marrë pjesë dhe as kanë firmosur asnjë nga tenderat e kryera në 3 vite. Agjencia ka shkelur rregullat ligjore në fuqi në fushën e menaxhimit financiar dhe kontrollit, prokurimit publik dhe kontabilitetit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu parregullsi të theksuara janë vërejtur dhe në magazinimin dhe përdorimin e mallrave të blerë nga kjo agjenci.
“Nuk ka mbajtur aktivitetet e magazinës, si rrjedhim asnjë mall i blerë nuk është gjendje, dhe as që mund të provohet dalja ose destinacioni i tyre. Agjencia ka vepruar në kushtet e mungesës së plotë të një sistemi të kontrollit të brendshëm të menaxhimit financiar.”-thuhet më tej në njoftimin e MF-së.













