Ministria e Punëve të Brendshmeka reaguar menjëherë pas deklaratës së dhënë nga Partia Demokratike. Bëhet me dije se nuk është vendosur anjë gjobë për mjetet që bllokuan trafikun dhe se policia kishte marrë masa në datën 26 janar, për të menaxhuar trafikun e rënduar. Ministria e Brëndshme bën me dije më tej se janë konstatuar 330 mjete që kanë bllokuar trafikun.
Kështu, Ministria e Brendshme hedh poshtë deklaratën e PD, se policia ka ndëshkuar me gjoba politike drejtuesit e mjeteve që protestuan për 5 minuta mesditën e 26 janarit.
Ministria sqaron se: “Në të gjithë territorin e vendit, në datën 26.01.2015, Shërbimet e Policisë Rrugore morën masa për të menaxhuar trafikun e rënduar dhe nuk kanë vendosur asnjë masë administrative me gjobë për mjetet, megjithëse ato ndaluan në kundravajtje duke bllokuar trafikun dhe sollën shqetësim dhe vonesë për përdoruesit e tjerë të rrugës”.
“Shërbimet e Policisë Rrugore kanë identifikuar të paktën 330 automjete që ndaluan duke bllokuar trafikun, kryesisht autovetura, të cilat shkelën nenin 20 të Kodit Rrugor që parashikon: “Cilido që zë sipërfaqen rrugore pa lejen përkatëse, ose që duke pasur leje, nuk zbaton kushtet e saj, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë”, por për asnjë prej tyre nuk është marrë masë”, thuhet në reagim.
“Policia e Shtetit është e vendosur në çdo rast të godasë paligjshmërinë, e çdo forme qoftë, e për këtë arsye fton qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë në luftën e përbashkët kundër informalitetit, paligjshmërisë dhe kriminalitetit duke garantuar një Shqipëri më të sigurtë, ku ligji është i barabartë për të gjithë pa dallim”, apelohet përmes deklaratës për media.
















