Ministria e Arsimit publikoi dje procedurat e regjistrimit online nëpër fakultete. Sipas MAS-it, afati i fundit i regjistrimit online do të jetë data 22 shtator, ndërkohë që lista përfundimtare do të shpallet në 29 shtator. Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Provimeve Rezana Vrapi, sqaroi dje se regjistrimi do të bëhet në faqen www.matura. akp.gov.al.
Gjatë procedurave të regjistrimit online, kandidatët kanë dy mundësi: të bëjnë regjistrim përfundimtar dhe të ndërpresin garën për një preferencë më të lartë, pra, të zgjedhin të vijojnë studimet në preferencën që u ka dalë në listën paraprake të fituesve, ose të regjistrohen, por në opsionin e regjistrimit online të përcaktojnë se vijojnë garën për më tej.
Nëse një kandidat nuk arrin ta kryejë vetë regjistrimin online, ai mund t’i drejtohet sekretarisë mësimore të fakultetit. Regjistrimi paraprak është kusht për të fituar të drejtën e studimit dhe për të arritur më tej në fazën e regjistrimin përfundimtar, që do të bëhet në datat 1-7 tetor 2014.















