Projekti i dytë, realizimi i të cilit u inaugurua sot, është zgjerimi i rrugës Komogllavë-Tërstenik, që shtrihet në dy komuna – Ferizaj dhe Viti dhe që ka gjatësi prej 13 kilometrash, vlera e të cilit është 1,089,590.61 euro. Duhet cekur se pjesa e kësaj rruge, që shtrihet në komunën e Ferizajt, ka gjatësi prej 6.5 kilometrash, sa është e gjatë edhe gjatësia e pjesës që i takon Komunës së Vitisë.
Në kuadër të aktiviteteve të sotme, ministri Zharku dhe kryetari i Komunës, Sfarqa, përuruan edhe fillimin e ndërtimit të rrugës Greme-Burrnik-Gaçkë. Kjo rrugë do të këtë gjatësi prej 9,8 kilometrash, ndërsa vlera e tërësishme e realizimit të këtij projekti është 1,426,283.50 euro.
Në fjalën e tij përurese, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, tha se këto janë projekte tejet të rëndësishme për zhvillimin e kësaj zone.
“Janë edhe katër projekte të tjera, që kanë filluar të realizohen në bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës. Realizimi i këtyre projekteve në këtë zone, ku ekzistojnë parakushte për zhvillimin e turizmit, do të lehtësojnë qarkullimin e njerëzve dhe do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të kësaj ane”, tha në fjalën e tij ministri Lutfi Zharku, i cili shtoi se për vitin e ardhshëm janë parapara edhe projekte të tjera.
Kryetari i Komunës, Muharrem Sfarqa, foli për projektet që u përuruan sot dhe për rëndësinë e tyre. Ai njëkohësisht falënderoi Ministrinë e Infrastrukturës për mbështetjen e dhënë për ndërtimin e këtyre rrugëve.






















