Kur ambasada shqiptare në Londër përgënjeshtron Ministrin
Petrit Kuçana
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë z. Blendi Klosi paska zhvilluar një vizitë në Londër. Sipas njoftimit për media “Ministri Klosi u prit edhe nga Sekretari britanik i Emigracionit, Robert Goodwill, të cilin e njohu me reformat e thella dhe të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria “Rama”.
Nuk ka asgjë “të pazakontë” deri këtu, por të befason vazhdimi i njoftimit se; “Mes tyre është folur edhe mbi komunitetin e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Britaninë e Madhe, duke u fokusuar te problematika e dokumentacionit të qindra shqiptarëve që jetojnë në ishull, për të cilën u shpreh vullneti për një zgjidhje të shpejtë.”
Mirëpo nga një lundrim ne faqen zyrtare të Ambasadës shqiptare në Londër, vjen i përnjëhershëm përgënjeshtrimi. Asnjë fjalë nuk thuhet për këtë çështje. Thua Ambasadori dhe stafi të pranishëm në takim, kanë qenë “të pavëmendshëm” për këtë pikë kruciale për shqiptarët e Britanisë , apo është një stisje e pastër propagandistike zyrës së shtypit të Ministrit? Pra dikush po gënjen dhe me gjasa zyra e marrëdhënieve me publikun e Ministrit Klosi, është munduar ta stolisë vizitën e Ministrit Klosi në Londër me një element aq të ndjeshëm për shqiptarët e këtushëm siç është emigracioni, duke kamufluar suksesin e një vizite turistike.
Nëse e marrim për të vërtetë këtë deklarim të ministrit, saktësisht të zyrës së tij, thjeshtësisht do të ngrihej pyetja se për cilën kategori të shqiptarëve paska folur zoti ministër?
Kush na qenkërkan këta qindra shqiptarë që jetojnë në ishull dhe paskan probleme të dokumentacionit?
Thua e ka fjalën për fëmijët shqiptarë (pra për ata nën 18 vjeç) që sipas BBC-së nga janari deri në shtator të vitit të kaluar kanë kërkuar azil 706 fëmijë shqiptarë (katër herë më shumë se sirianë) dhe si ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë kjo shifër duhet të ishte alarmante…
Çfarë po ndodh me këta të rinj? A është në dijeni ministri Klosi, se pjesa më e madhe detyrohen të dalin në të zezë sapo i afrohen të 18, dhe nuk kanë të mbaruara njoftimet e policisë britanike për “Missing Person”…
Thua vërtet ta ketë patur fjalën për këta fëmijë, që konsiderohen më fatlumët për shkak të moshës së tyre, përfitojnë të drejtën e qëndrimit deri në 18 vjeç? Apo mos ndoshta Ministri Klosi e ka patur fjalën për të tjerë shqiptarë, pak më të rriturit, që janë të detyruar të qëndrojnë në të zezën dhe që janë në mbijetesë, pasi sipas ligjeve britanike nuk janë të lejuar që të punojnë në Britani, madje as të gjejnë strehim…
Thua ta dijë ministri për masat që merren për ata që i strehojnë apo i punësojnë? A ka (apo mori) ndonjë shifër Ministri i Rinisë shqiptare se a të rinj shqiptarë kanë përfunduar në burgjet britanike? Çfarë po bëhet me transferimin e të burgosurve?
Mos ndoshta ministri Klosi e ka patur fjalën për kategorinë tjetër të shqiptarëve, ata që kanë vite e vite në këtë shtet, mbase më shumë se 10 vjet dhe që vazhdojnë të presin për dokumente?
Apo ndoshta për atë kategorinë e shqiptarëve, që në momentet e ardhjes në Britani, u detyruan që të paraqiteshin nga ndonjë vend tjetër dhe që tashmë nëse dëshirojnë që të bëjnë bashkim familjar, u kërkohet certifikata e lindjes?
Mbase Ministri e ka patur fjalën për gratë shqiptare që vijnë në Britani, pas një kalvari të gjatë të vuajtjes për të siguruar një vizë për bashkim familjar dhe pas refuzimit, detyrohen të ndjekin rrugët ilegale për tu bashkuar me burrat e tyre dhe që më pas detyrohen të paraqiten “si të trafikuara”? Mbase gjithkush do të çuditej nga numri jashtëzakonisht i lartë i tyre…(që duket se Klosi nuk ka qenë dhe nuk është në dijeni të tyre).
Mos ndoshta Klosi e ka patur fjalën për ata shqiptarë që u janë marrë dokumentet, për shkak “të paraqitjes ndryshe së tyre”, dhe që vazhdojnë të presin…
E di ministri Klosi se sa është numri i vizava që jepen nga ambasada Britanike në Tiranë?
Çfarë do të ndodhte, bie fjala, që Ministri Klosi t’i kërkonte Ministrit të Emigracionit lehtësim vizash, sidomos për ata që duan të bëjnë bashkim familjar, pra për ata që plotësojnë çdo kriter ligjor dhe që shpesh refuzohen, por që përdorin çdo mjet për të sjellë gratë e tyre nga Shqipëria dhe që shtetit britanik i kushton shumë më shumë, në vend që të vinin në kushte normale dhe me dinjitet padyshim?
Qoftë edhe të parashtronte një kërkesë për një kategori të caktuar. Është lehtësisht e kuptueshme që Ministri i Mirëqenies Sociale nuk kishte si të kërkojë “ndonjë përkujdesje” për të sapoardhurit, ku numri i tyre vijon të shtohet frikshëm, (edhe pas reformave të gjithanshme të qeverisë Rama).
Pra vërtet a ishte në dijeni të këtyre çështjeve, të këtyre problemeve, pasi askush më mirë se ai nuk do të mbronte interesat e shqiptarëve të Britanisë?
Çfarë do të ndodhte nëse Ministri Klosi do të zhvillonte një takim paraprak me ekspertët shqiptarë të këtyre çështjeve, me avokatët dhe baristerët që mbrojnë çdo ditë çështjet e emigracionit (jo vetëm për shqiptarët) në gjykatat Britanike?
Vërtet a ishte i përgatitur Ministri Klosi për këtë takim? Duhet theksuar se në Britaninë e Madhe janë rreth 50 avokatë dhe Barristerë, specialistë të shkëlqyer të cështjeve të emigracionit, madje të organizuar në një shoqatë BALA, (në njëvjtorin e të cilës mori pjesë edhe Ambasadori Qirjako Qirko).
Takim me komunitetin? Kurrsesi jo. Po shoppingu? Nuk jepen shpesh shanset për vizita në Londër…
Me një minimum serioziteti të linte një orë nga shopingjet e bukura të Londrës, apo jeta atraktive e këtushme dhe së paku të informohej…
Nuk ka asnjë pikë dyshimi se takime të tilla mbesin të një rëndësie jetike dhe ky është takimi i dytë pas atij të ministrit të Rendit Sajmir Tahiri me homologen May (tashmë kryeministre e Britanisë).
Nga takimi i parë ministri Tahiri u kërkoi autoriteteve britanike përshpejtim procedurash për shtetasit shqiptarë, pasi sipas tij po “joshin” shqiptarët e tjerë që të vijnë në Britani. Klosi e paska hapur si çështje të përgjithshme në këtë takim… Kjo do të mbetet e pafalshme për Ministrin turist, ku në çdo fjalë të deklaratës për media, përveç propagandës duket thjeshtësisht deklaratë e tipit “things to do”. Fundi i deklaratës për shtyp mbetet akoma më konfuze pasi thuhet se “U shpreh vullneti për një zgjidhje të shpejtë” të çështjes së dokumenteve të (qindra?!!) shqiptarëve që jetojnë në ishull. Si do zgjidhet kjo çështje? Sipas porosisë së Ministrit Tahiri? E me patjetër që gjithçka duhet të mbulohet me çështjen e njohjes se pensioneve në Britani. Edhe shopingu, edhe ministrat turistë…























