Projekti më i fundit i ndërmarrë nga Bashkia e Durrësit është sheshi “Veliera”, që po ndërtohet para portit. Në përfundim të punimeve pritet që aty të ngrihet një velë betoni. Me pak fjalë u prish një shesh i këndshëm, për t’u ngritur një tjetër… prej betoni.
Të njëjtën gjë Bashkia e durrësit bëri edhe me sheshin “Liria”, prishi një shesh për të ndërtuar një tjetër. Por a nuk paska nevoja të tjera Durrësi që taksat e qytetarëve të shpërdorohen në projekte luksi?
Po qytetarët ku janë? Heshtin…
Për shpenzimin e buxhetit të Bashkisë së Durrësit ka reaguar edhe deputeti i PD-së Igli Cara. Ai ka postuar në profilin e tij në Facebook një status, ku rendit disa prej problemeve më të nxehta të Durrësit, duke filluar që nga plehrat që digjen në Porto Romano, kanalizimet, apartamentet për të pastrehët e deri tek biblioteka e re që ka 10 vjet që premtohet. Cara shkruan se janë mbi 15 milionë dollarë që po shpenzohen për sheshe e fasada, ndërkohë që problemet e vërteta mbeten pa zgjidhur.
Statusi i plotë i Carës:
“Më duket e frikshme heshtja apo ndroja e qytetarëve për të reaguar kundrejt gjithë abuzimit që Rama e Vangjush Dako bëjnë me paratë e taksapaguesve durrsakë.
Rilindja urbane ka bërë që në këto 3 vjet i gjithë buxheti i akorduar bashkisë së Durrësit të shkojë në zbukurime e lyerje fasadash, qendra me palma, gurë e shatërvanë, veliera betoni, bulevardi, sfinksi, zbukurimi i rrugës së plazhit bërë tre herë, …e të gjitha këto nuk janë pak para, po janë mbi 15 milion dollarë.
E kuptoj që çfarë unë e kolegë të opozitës kemi thënë nuk mund të dëgjohej nga Rama dhe Dako, por si nuk del një i majtë i mençur e kurajoz që t’i shpjegojë që këto para mund të ishin harxhuar ndryshe për nevojat e durrsakeve: si psh:
E para, që në Porto Romano mos të vashdojnë të digjen plehrat e të ishte ndërtuar një impiant ;
Së dyti, të ishin ndërtuar rreth 1000 apartamente për të pastrehët;
Së treti, të investohej në kanalizme që Durrësi të mos përmbytej;
Së katërti, të bëhej rikonstruksioni i shkollave, kopshteve dhe çerdheve e të ngrihej sistemi ngrohjes në to;
Të bëhej një qënder shëndetësore e për të vazhduar me zgjidhjen e problemeve të qarkullimit në qytet, etj etj.. mund të rendisim shumë investime të domosdoshme si këto…
Se harrova, po bibliotekën që Vangjushi ka 10 vjet që ja premton qytetarëve a mund t’ia kujtojë njeri?






















