Qytetarët shqiptarë do kenë më shumë mundësi t’i afrohen deputetëve dhe Kuvendit të Shqipërisë, falë një udhëzuesi të hartuar nga vetë ky institucion, në kuadrin e transparencës.
Hartimin e udhëzuesit për qytetarët e ka prezantuar sot në Kryesinë e Kuvendit, kryetari Ilir Meta, i cili tha se “opinioni publik tashmë është vendimarrës në Kuvend.”
Ndërsa, kreu i OSBE-së, Florian Raunig, i pranishëm në takim, e vlerësoi mjaft këtë dokument, që i shërben përforcimit të marrëdhënies së shoqërisë civile me Kuvendin.
“Ne kemi organizuar takime të parlamentarëve me zgjedhësit, – tha ai, – me qëllim rritjen e transparencës së Kuvendit dhe sjelljen e tij më afër votuesve individualë. Ne po luftojmë për një kulturë gjithëpërfshirëse, për një kulturë dialogu e opinionesh. Sa më shumë të dinë parlamentarët për shqetësimet e qytetarëve, aq më shumë do të vijnë ato në Kuvend. Kuvendi duhet të jetë një vend ku qytetari mund të ndihet i mirëpritur. Një parlament transparent, i arritshëm, është një parlament më efektiv,”- theksoi ai.