Në Kryesinë e Kuvendit u mbajt takimi i tetë i grupit të punës të bashkëpunimit të Evropës Juglindore ndërmjet kryeparlamentarëve të rajonit. Gjatë këtij takimi Shqipëria mori Presidencën e radhës të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të vendeve anëtare të kësaj Asambleje si: Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Turqia dhe Kosova.
Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta në fjalën e tij përshëndetëse e vuri theksin tek domosdoshmëria për të bashkëpunuar, për të pasur sa më shumë paqe e stabilitet në rajonin tonë. Sipas Metës, vendet e rajonit duhet të shuajnë barrierat e së kaluarës, të ndërtojnë një histori të re, për të ardhmen dhe jo për kufij. “Është i rëndësishëm bashkëpunimi rajonal. Në këtë drejtim konfirmoj vullnetin e plotë për të dhënë mbështetje për avancimin e punës dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura. Mendoj që bashkëpunimi rajonal është një vlerë e shtuar në thellimin e fqinjësisë së mirë por edhe në kapërcimin e barrierave të së kaluarës”, tha kreu i Kuvendit. “Të forcojmë paqen dhe stabilitetin. Po jetojmë një kohë të re për të realizuar një histori të re jo histori për kufij, por për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë gjeneratat e reja”, shtoi Meta.
Kreu i Kuvendit theksoi se Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit mund të kontribuojmë si Parlamente për krijimin e një klime dinamike në rajon, i cili duhet kthyer në një motor domethënës, rritjeje ekonomike dhe përmirësimi të mirëqenies për të gjithë qytetarët. Gjithashtu Meta ndau bindjen se bashkëpunimi dhe toleranca janë forca më e madhe në politikë për ndryshim. Në fjalën e tij, Kryetari i Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në SEECP, z. Taulant Balla u shpreh se duhet të mirëpresim në këtë takim, pas deklaratës së liderëve të shteteve në Samitin e mbajtur në Bukuresht më 25 qershor 2014 dhe gjithashtu pas marrëveshjes historike midis Beogradit dhe Prishtinës të negociuar nga bashkimi evropian, përfaqësuesit e Parlamentit të Kosovës. Ndërkaq Balla nënvizoi faktin se duke qenë kryesues të radhës të SEECP-së, vendi ynë do të bëjë më të mirën duke kontribuar në finalizimin e dokumentacionit të nevojshëm, për një funksionim të Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, që është edhe fokusi kryesor dhe objektivi i këtij grupi pune.















