Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dha një deklaratë të fortë ditën e sotme, ku theksoi se pas përfundimit të numërimit të votave, PS do të nisë procesin e shkarkimit të presidentit.
Përmes një postimi në Twitter numri dy i PS-së,ironizoi se mazhoranca do t’ia bëjë gati letrat e pensionit, të pijë raki me çifteli me Saliun ke azili Lalzit!
Postimi i plotë i Taulant Ballës:
Me Baba Dridhe Liken çuditen vetëm ata që s’e kuptojnë akoma që i ka lëshuar pëllumbat përfundimisht! Askush s’ka pritur të mbajë fjalën për dorëheqje! Po ja të mbarojë procesi i numërimit dhe t’ia bëjmë gati letrat e pensionit, të pijë raki me çifteli me Saliun ke azili Lalzit!
Pas këtij reagimi, presidenti u shpreh se është gati për të të firmosur Dekretin për mbrojtjen e Republikës, duke folur me një gjuhë të ashpër.
“Kërcënimi i fundit, që vjen përmes Tao Taos, nga bandat e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë ka vetëm një përgjigje: Presidenti, gati për të firmosur Dekretin për mbrojtjen e Republikës! Shqipëria e Shqiptarëve! Vdekje tradhëtarëve!”, shkruan Meta.
Pra disa orësh presidenti përmes zëdhënësit të tij saktësoi se Meta do të jetë në krye të LSI-së më 24 korrik të vitit 2022.
Ky reagim nga presidenca vjen pas deklaratës së kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi e cila tha se votat e tyre u vodhën, dhe pranoi se ishte një gabim djegia e mandateve.
Duhet të kujtojmë se para zgjedhjeve presidenti Meta ka thënë se nëse PS merrte 71 mandate do të jepte dorëheqjen, gjë që nuk është pranuar akoma edhe pse PS mori 74 mandate në zgjedhjet e zhvilluara më 25 prill.