Drafti i reformës në drejtësi ka hyrë në kalendarin tre javor të punimeve, por përveç votave te opozitës që deri më tani nuk i ka, Rama rrezikon të mos ketë as votat e aleatit të tij qeverisës, Ilir Metës.
Të paktën jo 20 votat që ka kjo forcë politike në Kuvend. Së fundi, deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, ka bërë dy reagime në Twitter, ku flet për cënim të sovranitetit kombëtar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, që është parashikuar në ndryshimet e reja kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi.
“E kuptoj dhe jam dakord që sovranitetin e vendit tonë të përbashkët duhet ta ndajmë me NATO, me KE, shpresoj dhe me BE. Por nuk jam gati të votoj ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Cfarë përfaqësojnë këta?!”, shkruan në Twitter deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit nënkupton ekspertë të huaj që do të vijnë në Shqipëri për të mbikëqyrur procesin e vetingut dhe rikompozimin e institucioneve të reja të gjyqësorit në vend.
Me siguri që ky reagim i deputetit Përparim Spahiu, nuk është thjesht një qëndrim i tij tërësisht personal, por ndoshta edhe i krejt LSI-së.
Megjithatë për këtë duhet të presim edhe pak ditë derisa gjërat të kristalizohen më tepër.
Por nëse i referohemi të shkuarës, sa herë që Ilir Meta s’ka dashur të votojë ndonjë ligj kështu ka vepruar, duke nxjerrë fillimisht deputetë të partisë së tij, nuk ka folur direkt ai vetë.
Kujtojmë këtu rastin me hetimin ndërkombëtar të aferës CEZ. Nga ana tjetër ky qëndrim në radhët e LSI-së nuk është krej i shkëputur nga ajo cfarë ndodh në kampin opozitar.
Nuk duhet harruar qëndrimi i fundit i Berishës dhe Topallit që janë shprehur të shqetësuar për cënim të sovranitetit kombëtar nga votimi i draftit të ndryshimeve kushtetuese. Madje Topalli shkoi më tej duke u shprehur totalisht kundër votimit të një drafti të hartuar nga të huajt.
















