Në qershor të vitit 2018 u denoncua një rast abuzimi seksual në shkollë. Prindërit e një të miture akuzuan mësuesin Myzo Dida, në fshatin Luftinë të Tepelenës se kishte abuzuar me të bijën e tyre.
Për 2 vite rresht mësuesi kishte kërcënuar nxënësen e tij se nëse tregonte do ta vriste dhe do ta varroste. Ndërkohë masa që u mor për këtë mësues ishte 40 ditë arrest shtëpie.
Kjo çështje u rikthye ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live”, ku nëna e të miturës ka dhënë një intervistë ekskluzive dhe ka treguar si e ka marrë vesh historinë tronditëse. Gjithashtu kërkon që drejtësia të vihet në vend.
Nëna e vajzës është shprehur se ka marrë një telefonatë nga dikush që u kishte thënë se “mësuesi Myzo Dida ngacmon fëmijët seksualisht”.
“Kur pyeta vajzën dhe më tregoi të vërtetën unë nisa të bërtisja. E pyeta se pse nuk kishte treguar më herët, ajo më tha se kishte frikë se mësuesi e kishte kërcënuar me biçak që të bënte veprime të turpshme. Nëse i tregonte njeriu ai e rrihte dhe i thoshte se do t’ia bënte varrin dhe do ta hidhte në pus”, tregon e ëma.
Kjo e fundit shton se kur e mori vesh edhe burri, shkuan e pyetën edhe nipin e tyre që ishte në një klasë me vajzën. “Edhe ai tha se është e vërtetë. Edhe atë e kishte kërcënuar dhe rrahur që të mos tregonte asgjë”, tha ajo.
Ndërkohë avokati i vajzës së mitur është shprehur se procesi gjyqësor vazhdon që të shtyhet dhe se janë mbi 38 seanca që nuk kanë nxjerrë asnjë vendim.



















