Kualifikimi i kombëtares shqiptare vazhdon të bëjë jehonë në shtypin ndërkombëtar. Pas reportazhit dhe CNN-it dhe artikujve të gazeta sportive prestigjioze italiane, këtë herë është e përdishmja “AS”. Gazeta e njohur sportive në Spanjë, në versionin e saj “online” ka publikuar një artikull ku shkruan se në Kampionatin Europian “Francë 2016”, do të marrë pjesë për herë të parë Shqipëria, por jo vendi i tretë në Botërorin e fundit, Holanda.
Skuadra “tulipane”, pas humbjes së djeshme me Republikën Çeke 2-3 në Amsterdam, nuk ka siguruar dot as pjesëmarrjen në ndeshjet “play off”. Kualifikimin diekt si skuadra e tretë më e mirë në grup e ka arritur Turqia, e cila mundi Islandën 1-0 në Stamboll.
“Europiani i parë me 24 skuadra do të shohë për herë të parë Shqipërinë, Islandën, Uellsin dhe Irlandën e Veriut. Zgjerimi i turneut për t’i dhënë shans pjesëmarrjeje vendeve të vogla ka nxjerrë në pah dobësinë e Holandës, mungesa e madhe e edicionit të ardhshëm”, shkruan “AS”.
E përditshmja spanjolle gjithashtu bën një rezyme të ekipeve që janë kualifikuar deri tani: Shqipëria, Republika Çeke, Spanja, Sllovakia, Uellsi, Zvicra, Polonia, Anglia, Franca, Islanda, Portugalia, Irlanda e Veriut, Turqia, Rusia, Rumania, Kroacia, Austria, Belgjika, Gjermania dhe Italia.
Skuadrat që kanë dalë në playoff janë Bosnje Hercegovina, Iralanda, Sllovenia, Suedia, Norvegjia, Daminarka dhe Hungaria.
















