Mediat maqedonase i janë sulur deputetes së BDI-së Ermira Mehmeti, pasi ajo në një koment të saj në facebook këto ditë kritikoi projektin qeveritar “Shkupi 2014”.
Titujt si: “Ermira Mehmeti fton në koalicion të zgjeruar kundër projektit ‘Shkupi 2014’”, pastaj “Mehmetit i pengojnë skulpturat e Kirilit dhe Metodit para Urës së Gurit”, “Myslimanët të bashkohen kundër ‘Shkupit 2014’”… kanë shoqëruar kritikat e disa mediave kundër deputetes integriste.
Përfaqësuesja e lartë e BDI-së, Ermira Mehmeti ditë më parë shkroi se “’Rilindja kulturore” e shpikur nëpër laboratore politike, nuk i dedikohet respektimit të të gjitha vlerave të diversitetit dhe identiteteve të ndryshme fetare në Shkup”.
“Pa dashur të keqkuptohem, dëshiroj vetëm të parashtroj dilemat e mia në raport me imazhin e krijuar: – mysafirë të ngjarjes kulturore ishin edhe zyrtarë të lartë të shtetit turk.
Vallë, si janë ndier ata, kur në hyrje të Urës së Gurit, simbolit më autentik të trashëgimisë osmane të Shkupit tonë, kanë parë të vendosur si roje, Shën Qirilin, Metodin, Klimentin e Naumin? – vallë, si ndjehet deputeti dhe lideri i Partisë Demokratike të Turqve në Maqedoni, si pjesëtar i koalicionit të madh të VMRO, kur shikon ndërtimet të cilat paraqesin një projekt politik për të margjinalizuar trashëgiminë osmane e myslimane të Shkupit?
Dhe, duke i parashtruar këto pyetje, në fakt, vetëm dëshiroj të përkujtoj se nuk duhet dhe nuk mund të jenë vetëm shqiptarët e Maqedonisë mbrojtësit e vlerave dhe trashëgimisë osmane dhe myslimane në Shkup. Ajo çfarë nevojitet është një koalicion gjithëpërfshirës i kontestuesve te Shkupi 2014, dhe këtu komuniteti turk duhet te ketë zërin e vetë të fuqishëm”, shkroi Ermira Mehmeti nga BDI.














