Deputeti Mark Frroku deklaroi se ai nuk e njeh presionin dhe shantazhin.
“Unë normalisht vazhdoj punën time si parlamentar. Mandatin ma ka dhënë populli dhe as Sali Berisha dhe askush nuk mund të më nxjerrë nga Kuvendi. Unë i nënshtrohem ligjeve të këtij vendi dhe do i nënshtrohem gjithmonë. Unë i qëndroj deklaratës që kam bërë në Prokurori për çështjen Doshi. Ajo është e vërteta. Unë i nënshtrohem ligjeve të këtij vendi dhe forcave të ligjit i jam përgjigjur sa herë ato kanë pasur thirrje. Unë nuk e njoh presionin. Mark Frroku nuk ka pasur asnjë ofertë, Mark Frroku as nuk shitet dhe as nuk blihet,” tha Frroku.
Megjithatë disa media kanë rikthyer historinë e ndezur një vit më parë, kur një gazetë belge shkruante se Frroku akuzohet për vrasjen e një shqiptari në Belgjikë, në vitin 1999.
“I akuzuar në Bruksel, deputet në Shqipëri,” shkruante NordEclair.
Në shkrim thuhet se “i sapozgjedhur në Shqipëri në postin e ligjvënësit, Mark Frroku rezulton i dënuar në mungesë me 10 vite burg në Belgjikë për vrasje, mbi afera prostitucioni dhe trafiku ilegal emigrantësh”.
Mediat belge shkruajnë se ai duhet të rigjykohej në muajin shkurt 2014 para Gjykatës Penale të Nivelles pas Apelit të Gjykatës së Brukselit, pasi Frroku kishte fituar lirinë para se çështja ndaj tij të shkonte në gjykatë dhe ishte larguar drejt Shqipërisë.
Mark Frroku akuzohet për vrasjen e një bashkëkombasit të tij, Aleksander Kurti, i vrarë në pasditen e 5 marsit 1999. Ai u qëllua për vdekje me thikë në një stacion metroje, Gare du Midi, në rrugën ‘Fonsny”, në jug të Brukselit.
Po sipas mediave belge thuhet se Frroku përdorte identitet të rremë të një kosovari. Sipas NordEclair.be, rasti lidhet me botën e prostitucionit, ku veprojnë disa rrjete emigrantesh shqiptarë në Bruksel.
Viktima, Aleksandër Kurti me sa duket kishte ‘shkelur’ mbi aktivitetetin e anëtarëve të tjerë, bosë ose anëtarë të rrjeteve të emigracionit klandestin drejt Anglisë./Mapo/















