Shumë familjarë të fëmijëve që u kthyen sot në atdhe nga kampi famëkeq në Siri, dolën për t’i pritur në aeroportin e Rinasit.
Momente prekës ka qenë takimi i Endri Dumanit me nënën dhe dajën e tij. Përqafime dhe lot mes nënë e bir. Të ndarë prej disa vitesh, pasi babai i Endri Dumanit mori fëmijët dhe u largua drejt Sirisë, për t’iu bashkuar shtetit Islamik, ky ishte takimi i parë i të miturit me nënën e tij.
Por dhimbja e nënës së Endri Dumanit nuk mbaron me kaq. Ajo kërkon rikthimin në atdhe edhe të vajzës së saj, Evës, që ndodhet ende në kampin Al-Hol.
Fëmijët e nxjerrë nga Al Haël janë Amar Rasha, Emel Rasha, Hatixhe Rasha dhe Endri Dumani. Është nxjerrë nga kampi i Al Hol dhe nëna e tre fëmijëve Floresha Rasha e cila gjithashtu mbërriti sot në aeroportin e Rinasit dhe u mor nga familjarët e saj.
Në kthim, prej aeroportit të Bejrutit në Liban, fëmijët dhe gruaja u shoqëruan nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Pas mbërritjes në Rinas, kreu i qeverisë tha se po punohet për kthimin e të gjithë shqiptarëve që mbahen në kampin famëkeq sirian.



















