Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë bërë të ditur se me 24 mars në orën 11:00, do të mbahet konferencë për ecurinë e çështjes ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999.
Konkretisht Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, ka ngritur akuza ndaj tyre për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me dhunë të personave, persekutim dhe tortura.
Një ditë më parë, mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dorëzoi në Hagë, një ankesë ku kërkohet heqja e aktakuzës ndaj tij, pasi theksohet se ka “mungesë të juridiksionit”.
Mbrojtja gjithashtu thekson se Thaçit i janë shkelur të drejtat për një dëgjim të drejtë dhe të paanshëm publik si dhe për një gjykim të drejtë, brenda një kohe të arsyeshme.




















