Pas parashtrimit të kërkesave, protestuesit u shpërndanë duke mos shënuar asnjë incident, përveç tërheqjes së vëmendjes nga organizatorët për protestuesit që tentuan të përlesheshin e policinë
Ka përfunduar e qetë protesta e sotme kundër dënimit me burgim të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve të akuzuar për rastin “Monstra”.
Mijëra qytetarë, nga Shkupi dhe qytete të tjera etnike të Shqipërisë (Striga, Gostivari, Tetova, Kumanova, Manastiri mbetur jashtë kufijve nga Konferenca e Londrës 1913) që sot janë në territorin e shtetit maqedonas, por edhe të ardhur nga Kosova qëndruan pranë qendrës tregtare “Mavrovasja” në bulevardin e “Bit Pazarit”, aty ku ishin stacionuar forca të mëdha policore.
Protesta drejtohej nga familjarë të të dënuarve, por u vu re prania edhe e figurave politike si kryetari i komunës së Gostivarit, Strugës Zijadin Sela, ish-deputeti Hysni Shaqiri, Ruzhdi Matoshi.
Një numër i madh forcash policie u stacionua në rrugën “Cvetan Dimov”, ku marshoi turma e protestuesve.
Ndërkaq kordoni policor ndaloi qytetarët tek qendra tregtare, “Mavrovka” të vijonin marshimin drejt Gjykatës së Shkupit, ndërsa ata brohorisnin e mbanin në duar parulla ku shkruhej:
“Gruevski, e keqja fshihet në mozaik”, “UÇK, jo BDI, UÇK me popullin”, “Monstra, Brodeci, Harun Aliu”.
Në disa raste grupe protestuesish tentuan të thyenin barrikadën policore, por ata nuk u lejuan nga organizatorët.
Në fund të protestës, Daim Luçi, në emër të familjarëve lexoi një letër proteste me thirrjen “Stop proceseve të montuara politike ndaj shqiptarëve”.
Ai parashtroi kërkesat e protestuesve që ishin dhënia fund proceseve të montuara politike, shpallja e pafajësisë për të dënuarit në rastin “Monstra”, lirimi dhe dëmshpërblimi i tyre.
Gjithashtu, është kërkuar shkarkimi i gjykatëses Geshovska, dorëheqja e ministres Gordana Jankullovska dhe lirimi i të gjithë të ndaluarve gjatë protestave të mëparshme në Shkup dhe në Tetovë.
Pas parashtrimit të kërkesave, protestuesit u shpërndanë duke mos shënuar asnjë incident, përveç tërheqjes së vëmendjes nga organizatorët për protestuesit që tentuan të përlesheshin e policinë.
Edhe kordoni policor është tërhequr nga bulevardi “Cvetan Dimov” mes qendrës tregtare “Mavrovasja” dhe Universitetit të Shkupit. Trafiku në bulevard u normalizua.
















