Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut në përfundim të procesit të votimit kanë deklaruar fitore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Si Bashkimi Demokratik për Integrim ashtu edhe koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë folur për fitore.
Zv. kryeministri nga BDI, Bujar Osmani në një deklaratë për mediat pas mbylljes së votimit tha se, është koha që partitë shqiptare të bashkohen për të zgjedhur kryeministrin e parë shqiptar.
“Nga nesër duhet të fillojnë aktivitete me palët tjera për të formuar qeveri të udhëhequr nga kryeministri shqiptar. Për këtë qëllim ftojmë partitë e tjera shqiptare në vend të bashkohen në kauzën tonë të përbashkët. Ne presim një fitore të madhe për BDI para se të gjithash këto zgjedhje do të mbahen mend si një fitore e madhe për shqiptarët dhe qytetarët e vendit”, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari tha se sipas të dhënave që posedojnë, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa është në epërsi.
“Informacionet e para nga shtabet tona janë se ne jemi në epërsi të madhe dhe presim fitore bindëse. Shpresoj se më vonë kur të mbajmë konferencë për shtyp nga ora 23:30 ti tregojmë rezultatet përfundimtare, por trendi është pro nesh”, tha ai duke i konsideruar zgjedhjet si jokorrekte pasi janë vërejtur parregullsi të shumta.