Ministri i Jashtëm i Serbisë, i pranishëm në këtë aktivitet theksoi se Serbia ka kontribuar për stabilitetin në rajon si dhe po bën përpjeke për fqinjësi të mirë
Ministrat e Jashtëm të Rajonit janë mbledhur sot në Tiranë në samitin e SEECP. I pranishëm në samit është edhe ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç, ndërsa mungon ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, i pranishëm në këtë aktivitet theksoi se Serbia ka kontribuar për stabilitetin në rajon si dhe po bën përpjeke për fqinjësi të mirë.
“Sa i përket perspektivave dhe rrugës tonë drejt BE, jam dakord me ju që janë arritur disa rezultate. Serbia ka kontribuar për stabilitetin në rajon, është duke bërë përpjekjet e saj për fqinjësi të mirë, përfshirë këtu edhe dialogun me Prishtinën. Kjo është parë me atë që kemi bërë në rrugën e BE-së”-tha ai.
Përsa u përket çështjeve të brendshme të Serbisë, Daçiç veçoi disa reforma të ndërmarra në kuadër të përshpejtimit të rrugës drejt BE-së.
“Kemi ecur përpara në shumë fusha siç është ajo në luftën ndaj krimit, kemi pasur investime të shumta, kemi implementuar ligje të shumta që kanë të bëjnë me reformën në siguri, reformën për taksat. Po bëjmë përpjekje për reformën në administratë publike”- u shpreh Daçiç.
Sipas ministrit serb, me rëndësi është integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE.
Ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati në fjalën e tij deklaroi se ky takim është me rëndësi për bashkëpunimin rajonal dhe bashkëpunimi është element kyç për zhvillimin e rajonit.
Ndërsa Sekretari i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Goran Svilanoviç deklaroi se moto e takimit duhte të jetë “Një rajon një ekonomi”.
Në këtë aktivitet marrin pjesë delegacionet nga: Sarajeva, Sofja, Athina, Prishtina, Zagrebi, Podgorica, Shkupi, Kishinau, Bukureshti, Beogradi, Lubjana dhe Ankaraja.
Në takimin e Procesit të bashkëpunimit të vendeve të Europës Juglindore diskutohet për zhvillimet aktuale dhe për promovimin e bashkëpunimit për një fqinjësi të mirë. Pas Samitit dyditor, Tirana do ti dorëzojë kryesimin Bullgarisë.
Ndërkaq përfaqësuesit e Serbisë dhe Greqisë pritet të mbajnë në Tiranë edhe takime dy-palëshe.
Ndërsa pranë selisë së Kuvendit të Shqipërisë, do të mbahen mbledhjet teknike të tre Komisioneve Parlamentare të SEEEP-së, të Komisionit të Përhershëm dhe të Grupit të Punës.
Në mbledhje do të diskutohen nga tre komisionet e asamblesë rezoluta e raporte që kanë në fokus sigurinë, mbrojtjen e kufijve, luftën kundër terrorizmit, mbrojtjen e fëmijëve si dhe projektet e përbashkëta rajonale në fushën e energjisë dhe infrastukturës. Gjithashtu në takimet e kësaj date komisionet do të bëjnë zgjedhjet e tyre për të vendosur kryesinë e secilit komision.
















