Deputetët e Partisë Socialiste kanë akuzuar kryeministrin Edi Rama se po bën pazare me paraardhësin e tij, Sali Berisha. Akuzat janë bërë në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist, prej ku deputetët e PS kanë dalë kundër njërës prej pikave të marrëveshjes mes PD dhe PS, në të cilën thuhej ekzaktësisht se shumica nuk mund të përdorë 84 vota, pa pyetur më parë opozitën. Sipas burimeve, ligjvënësit e majtë kanë deklaruar se shqiptarët i kanë votuar për të arrestuar Sali Berishën dhe për të vendosur sistemin e drejtësisë, dhe jo për të bërë pakte me të. Në këtë kuadër, deputetët socialistë kanë akuzuar kreun e qeverisë se po lidhte marrëveshje me Sali Berishën, duke nënshkruar rezolutën e ish-kryeministrit. Ndër të parët, që ka kundërshtuar hapur marrëveshjen PS-PD, ka qënë deputeti socialist i Komisionit të Ligjeve dhe Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Xhemal Qefalia. Ky i fundit mësohet se është shprehur se rezoluta e PD nuk është serioze dhe se nuk duhej pranuar. Kjo rezolutë, sipas Qefaliajt, ishte vetëm një pakt mes Ramës dhe Berishës. “Rezoluta nuk është serioze, por thjesht një pazar”, mësohet të jetë shprehur Qefalia. Ligjvënësi i majtë, ka bërë më tej një propozim, sipas të cilit, nëse shumica do të ketë 69 vota, t’i shtohen edhe dy nga ana e opozitës. “Deri në 71 numra na dalin besoj. Kur shumica të ketë 69 vota, t’i marrë opozitës edhe 2 vota të tjera”, mësohet të jetë shprehur Qefalia. Por, përpos deputetit Qefalia, rezoluta e PD ka hasur në kundërshti edhe nga ligjvënës të tjerë të majtë. Dade kërkon 1 orë kohë për rezolutën Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Arta Dade, në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar, ka kërkuar një orë kohë për shqyrtimin e rezolutës së Partisë Demokratike. Sipas burimeve, Dade nuk ka pranuar të japë votën e saj për projektligjet dhe konfirmimin për rezolutën, pa e lexuar dhe shqyrtuar në detaj këtë të fundit. “Unë personalisht kërkoj një orë kohë për ta lexuar. Nuk mund të votoj, pa i hedhur një sy më parë rezolutës, për t’u njohur me të, dhe të di se për çfarë bën fjalë”, mësohet të jetë shprehur Dade. Po ashtu, kanë qënë edhe disa deputetë të tjerë të Partisë Socialiste të cilët kanë kundërshtuar marrëveshjen me PD, para mbledhjes së grupit parlamentar. Sipas tyre, Partia Demokratike, me kushtet e saj shtesë, po kërkonte qiqra në hell. “Ne ramë dakord që të nënshkruanim marrëveshjen me PD, por jo që pjesë e saj të ishin dhe ato kushte të shtuara më vonë. Nuk mund të mos përdorim ne shumicën në Parlament, se populli ne na ka votuar. Nuk janë ata shumica. Po kërkojnë qiqra në hell. Edhe pse janë shumë poshtë, kanë edhe krenari. Dihej që ata do të vinin në Kuvend, sepse nuk do rrezikonin mandatet e tyre. Çfarëdolloj gjëje të kishim bërë apo thënë ne, ata do kishin pranuar”, deklaroi deputeti Fatmir Toçi.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...














