Ka nisur në Tiranë mbledhja e dytë e përbashkët e Qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës, nën moton: “Një Tokë, Një Popull, Një Ëndërr”.
Ka qenë Kryeministri shqiptar, Edi Rama ai që ka hapur mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, duke thekuar se në një vit, qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës i kanë bashkuar ndjeshëm axhenda e tyre.
Sipas Ramës, shqiptarët janë shembull frymëzues për Europën në rrugën e integrimit të përbashkët të Ballkanit në BE.
“Shqiptarët duan ekuilibër dhe jo prishje ekuilibrash dhe kërkojnë thjesht atë çka u takon dhe çfarë janë të drejtat e tyre. Modeli shqiptar i bashkëjetesës është një mburojë dhe udhërrëfyes për Europën”, tha Rama.
Rama e ka cilësuar një turp të madh për BE mbajtjen e Kosovës nën regjimin e vizave.
“Mosliberalizimi i vizave për Kosovën është paradoks i madh. Regjimi i sotëm e ka kthyer Kosovën në një enklavë dëshpëruese të burokracisë europiane. E kemi thënë dhe do ta themi kurdo; regjimi i vizave në Kosovë është padrejtësi cinike ndaj Kosovës dhe duhet të marrë fund një orë e më parë, pasi nuk cenon vetëm dinjitetin e Kosovës, por edhe të vetë Europës. Mbajtja e Kosovës në regjimin e vizave, trup për BE”, u shpreh kryeministri shqiptar.
Nga ana e tij, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e vlerësoi këtë mbledhje të përbashkët të dy qeverive, ashtu sikurse edhe mbledhjen e nje viti më parë në Prizren, si një realizim të ëndrrës së kahershme të shqiptarëve për marrëdhënie speciale e vëllazërore mes dy shteteve dhe bashkëpunim të pafrenuar.
Duke u përqendruar tek marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, të cilat sipas Mustafës kanë mbetur më mbrapa se fushat e tjera, kryeministri i Kosovës kërkoi që qeveritë të heqin barrierat në mënyrë që bashkëpunimi të jetë më frytdhënës. Sipas Mustafës, biznesmenët e Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet ta shohin njëri-tjetrin si rivalë, por si bashkëpunëtorë.
Mbledhja e dy qeverive Shqipëri-Kosovë, pritet nënshkrimi i 11 marrëveshjeve
Holli i Pallatit të Kongreseve është konceptuar i ndarë në 3 pjese, ku bie në sy tryeza në formë rrethore me ngjyrë blu, mbi të cilën janë vendosur flamujt e BE-së, ku do të ulen të dy kabinetet qeveritare.
Në mes është vendosur një shqiponjë 3 dimensionale, kurse anash dekori parashikon vendosjen e flamujve të dy vendeve. Një kënd i veçantë është dedikuar për nënshkrimin e marrëveshjeve dhe një tjetër për konferencën e përbashkët për shtyp të kryeministrave Rama dhe Mutafa.
Pas fjalës përshëndetëse të dy kryeministrave, ministrat e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe homologu i tij Hashim Thaçi, do të bëjnë prezantimin e partneritetit strategjik.
Gjatë mbledhjes së sotme pritet të nëshkruhen 11 marrëveshje, memorandume dhe protokolle të cilat janë:
1. Për Bashkëpunim të “Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë”.
2. Memorandum mbi “Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Kontrollit të Brendshëm”.
3. Protokoll mbi “Shfrytëzimin e Përbashkët të Pajisjeve për Kontrollin e Kufirit”.
4. Protokoll “Për Ndjekjen e Menjëhershme Ndërkufitare”.
5. Memorandum i Mirëkuptimit “Për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Financave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës”.
6. Marrëveshje e Bashkëpunimit për “Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.
7. Marrëveshje e “Bashkëpunimit në Fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”.
8. Marrëveshje për “Bashkërendim Institucional për Përparimin dhe Zhvillimin Profesional të Mësimdhënësve në Arsimin Parauniversitar”.
9. Protokoll “Për Zbatimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunimin në Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë”.
10. Memorandum “Mbi bashkëpunimin në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural”.
11. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës.
Kryefjala e mbledhjes së dytë të dy qeverive do të jetë thellimi partneritetit strategjik i Shqipërisë me Kosovën, i cili në në një vit ka njohur progres të rëndësishëm edhe në fushën e politikës së jashtme, ku Kosova është bërë pjesë e shumë nismave rajonale dhe për herë të parë në Milano u hap Konsullata e parë e përbashkët mes dy vendeve.
Hapja e kësaj Konsullate parashikohej në marrëveshjen e nënshkruar gjatë mbledhjes së parë të dy qeverive në Prizren.
















