Pak kujt do t’i shkonte në mendje se pasardhësit e dy figurave më të ndritura të historisë dhe letërsisë shqiptare, vëllezërve Konica, do të kërkonin azil në tokën e etërve të tyre.
70 vjet pas vdekjes së Mehmet Konicës, e mbesa e tij, Randa Al Azem Konica, jeton si emigrante në Prishtinë, kjo pasi ajo braktisi Sirinë, vendin ku kishte lindur.
Në një shqipe të kuptueshme, ajo ka rrëfyer për emisionin “Rubikon”, në KTV, historinë e familjes së saj, duke nisur nga pushtimi italian e deri te zhvendosja e familjes së saj në Siri, raporton Koha.net.
Randa Al Azem Konica tregon se si nëna dhe tezja e saj i shpëtuan pushkatimit, pasi Ambasada angleze kushtëzoi shërimin e nipit të diktatorit Enver Hoxha me lirimin e familjes Konica.
Pas kësaj, me ndihmën e Mbretit Ahmet Zogu, familja ishte vendosur në Siri, ku trashëgimtaret e vetme të vëllezërve Konica u martuan me vendës dhe krijuan familje, por duke ruajtur gjuhën e tyre amtare.
Randa ka rrëfyer se ëma e saj kishte vdekur dhe asnjëherë nuk e pranoi nënshtetësinë e Sirisë me shpresën se gjërat do të përmirësoheshin dhe ajo do të merrte atë shqiptare.
Për trashëgimtaren e Konicës janë absurde procedurat burokratike që Kosova dhe Shqipëria kanë për dhënien e vizave për shqiptarët që jetojnë jashtë vendeve të tyre.
Ajo ishte indinjuar kohët e fundit, kur Shqipëria i refuzoi vizën vajzës së tezës së saj, e cila ka mbetur në Siri.
Randa Al Azem Konica i ka bërë thirrje presidentes së Kosovës që t’i ndihmojë ta nxjerrë nga Siria atë, pasi edhe ajo është mbesa e parë e vëllezërve Konica.
















