Arben Manaj
Duke shuar shpresat dhe ëndrrat e atyre që duan që Britania të mos largohet plotësisht nga BE-ja dhe duke qetësuar njëkohësisht ata që e kërkojnë me ngulm këtë, sa më shpejt që të jetë e mundur, kryeministrja britanike Theresa May deklaroi në fjalimin e saj të shumëpritur e të shumëpërfolur se “Britania do të largohet nga Bashkimi Europian”.
“Detyra ime është të arrij marrëveshjen e duhur për Britaninë”, deklaroi ajo. Ajo sinjalizoi daljen nga juridiksioni i Gjykatës Europiane të Drejtësisë, daljen nga tregu i vetëm europian dhe kontrollin e kufijve të Britanisë.
Në një fjalim të mbajtur në “Lancaster House”, shtëpia historike e diplomacisë britanike ndaj Europës dhe ish-kolonive, zonja May propozoi një “partneritet të ri dhe të barabartë” mes një Britanie “globale të vetëqeverisur dhe të pavarur” dhe miqve e aleatëve të saj në BE.
Kryeministrja britanike, në fjalimin më të drejtpërdrejtë për “Brexit”-in pas referendumit të vitit të kaluar tha në Londër se, “nuk do të ketë anëtarësim të pjesshëm në Bashkimin Europian, apo anëtarësim të asociuar në këtë union, e asgjë tjetër që do të na linte me një këmbë brenda dhe një këmbë jashtë BE-së”.
Fjalimi i saj vjen pasi zyrtarët më të lartë të qeverisë britanike shprehën gëzimin e tyre për premtimet e Donald Trump në fundjavë, për të punuar dhe siguruar një marrëveshje të shpejtë tregtare me Britaninë pas “Brexit”, marrëveshje që sipas specialistëve nuk mund të bëhet dot pa dalë Britania më parë zyrtarisht dhe plotësisht nga BE-ja.
Në planin e saj për “Brexit”, zonja May tha se ajo ka 12 objektiva negociuese të bazuara në 4 parime kryesore: sigurinë dhe qartësinë, një Britani më të fortë, një Britani më të ndershme dhe një Britani realisht më globale.
Në një mesazh drejtuar pjesërisht audiencës europiane, kryeministrja britanike deklaroi se është në interesin madhor kombëtar të Britanisë që BE-ja të jetë një projekt i suksesshëm. Ajo tha se, ashtu si deri më sot, Britania do të punojë për paqen në Europë dhe në Ballkan.
Fjalimi i sotëm i shefes së qeverisë britanike, në thelb ishte shpalosja e një strategjie negociimi me BE-në dhe botën që kërkon koncesione, siç tha ajo, e që sesi do të përfundojë realisht nuk është se varet vetëm nga kryeministrja dhe Britania. Marrëveshja, kurdo që të arrihet, do të kalojë për miratim përpara Parlamentit britanik dhe Dhomës së Lordëve.





















