Prokuroria thotë se këta tre persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë plotësuar fatura fiktive shit-blerjeje të lëndës minerare, në bazë të të cilave kanë përfituar rimbursimin abuziv në vitin 2013.
Sokol Nasufi, në cilësinë e administratorit të kompanive “Eurospeed Transh Chrom” sh.p.k dhe “Euro Trade Minerals Group” sh.p.k., ka bashkëpunuar me subjektin “Elidon 6”, nën administrimin e vëllezërve Mehmet dhe Rexhep Dauti, në aktivitetin e shit-blerjes së kromit.
Ndërmjet dy palëve në marrëveshje tregtare, pra kompanive të Nasufit nga njëra anë dhe kompanisë së vëllezërve Dauti nga ana tjetër, ka pasur një mosmarrëveshje civile, për pagesën e munguar të 6 faturave, në vitin 2013. Nga ky proces civil, kanë rezultuar të dhëna shtesë, të cilat i kanë ardhur në ndihmë hetimit, pasi ka rezultuar e provuar se kompanitë kanë përdorur fatura fiktive.























