U publikuan kete te merkure rezultatet e testit kombëtar të mësuesve, që ju nënshtruan nismës së ndërmarrë ngaMinistria e Arsimit “Mësues për Shqipërinë”, për të shmangur korrupsionin në arsim.
Ministrja Lindita Nikolla, tha se që nga janari i vitit që vjen, mësuesit do të zgjidhen sipas meritës dhe vlerave, për të rikthyer funksionimin e shkollave në “shinat e ligjit”.
“Të dashur mësues, nuk do të kemi më radhë pas dyerve të drejtorive rajonale dhe arsimore, s’ka më rendje pas zarfeve, s’ka më kryetarë bashkish e komunash që emërojnë dhe ç’emërojnë mësues”, tha ministrja.
Nikolla deklaroi se nëpërmjet këtij testi, ministria iu përgjigj një emergjence kombëtare, dhe se të gjithë ata persona që janë skeptikë për të, ministria do t’iu përgjigjet me punë dhe rezultate.
“Emërimet politike dhe korruptive nuk janë produkt i konkurrencës e as i transparencës, kush ngatërrohet kërkon të mbrojë zullumin më të madh që i është bërë jetës së arsimit”, tha Nikolla.
Ministrja deklaroi se të gjithë ata mësues që kanë shënuar emrin në test, janë pezulluar nga testimi. Ankimimet rreth rezultateve do të bëhen deri në 22 dhjetor. Të gjithë ata mësues që duan të kontestojnë pikët e marra, duhet të drejtohen drejt drejtorive rajonale arsimore.
















