Është një dhomë e vogël, në ndërtesën e madhe prej xhamash. Në këtë dhomë, po shkruhej një copëz historie për dy vendet e Ballkanit. Vende të këtij rajoni të tejngopur me data historike. Për shqiptarët e Kosovës e serbët e Serbisë historia është shumë më e ngatërruar dhe më e madhe sesa që mund të paramendohet nga një i huaj. Por, jo edhe për Brukselin zyrtar!
Kjo histori për zyrtarë të Brukselit është aq e madhe, sa zë një hapësirë prej tre pëllëmbësh të një rafti librash. Për këtë copëz historie, dikush edhe mund të mos e dijë, por ka xhirime. Për bisedimet teknike ndërmjet Kosovës e Serbisë të zhvilluara gjatë vitit 2012, jo vetëm që ka fotografi, por edhe film dokumentar.
Tribuna e ka siguruar të plotë këtë dokumentar të titulluar ‘The Agreement’ (Marrëveshja), të realizuar nga Karen Stokkendal Poulsen.
Xhirimet për të janë bërë prapa dyerve të mbyllura gjatë zhvillimit të bisedimeve teknike ndërmjet Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së. Filmi nis me prezantimin e palëve në konflikt. Edita Tahiri, zëvëndëskryeministre e Kosovës, shpjegon luftën e saj për lirinë e popullit të saj.
Aty është edhe Borko Stefanovic, i cili thotë se ka marrë pjesë në luftërat e Serbisë, por jo fizikisht në Kosovë.














