Në Shkup po shtohen zërat që kërkojnë dorëheqjen e Presidentit të Maqedonisë, Gjeorgje Ivanov, për shkak të vendimit të tij që të amnistojë politikanët që janë nën hetime.
Ndërkohë, para godinës së Parlamentit dhe para selisë së partisë VMRO-DPMNE, në Shkup, të enjten pasdite, janë tubuar mijëra qytetarë që po protestojnë kundër vendimit të Ivanovit.
“Lidhur me faljen e përgjithshme nga ana e Presidentit Ivanov më 12 prill, vlerësojmë se është e domosdoshme që ky vendim të tërhiqet sa më parë, kurse nga Gjorgje Ivanov kërkojmë të japë dorëheqjen për këtë vendim të turpshëm”, ka thënë një protestues.
Në këtë protestë, e cila u organizua nga të paktën 80 organizata joqeveritare, ka marrë pjesë edhe kreu i LSDM-së, Zoran Zaev. Aktivistët e shoqërisë civile kanë kërkuar edhe shtyrjen e zgjedhjeve të 5 qershorit, deri në plotësimin e kushteve për zgjedhje të lira.
“Nëse kjo nuk ndodh dhe zgjedhjet nuk shtyhen, nuk na mbetet asgjë tjetër përveçse t’i bojkotojmë zgjedhjet, për të cilat qysh tash mund të themi se do të jenë të manipuluara dhe të vjedhura nga pushteti”, ka thënë një tjetër protestues.
Protesta ka përfunduar rreth orës 21 e 40 minuta dhe protestuesit janë shpërndarë në mënyrë të qetë.
Gjatë protestës kanë ndodhur incidente të veçuara, por nuk ka pasur raste të ndërhyrjes së policisë.















