Aktvendimi i Gjykatës Kushtetueshe rreth çështjes së mandatarit të Qeverisë së re, nuk pritet ta trasojë rrugën për konstituimin e institucioneve të dala si rezultat i zgjedhjeve të 8 qershorit. Për rrjedhojë, kriza politike parashihet të zgjasë të paktën edhe disa muaj.
Burime të gazetës “Tribuna” kanë bërë të ditur se Kushtetuesja i ka krijuar mundësinë presidentes, Atifete Jahjaga që të mandatojë për kryeministër kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi.
Dhe nëse Thaçi nuk arrin të gjejë partner qeverisës, bashkë me të cilët ta siguronte minimumin prej 16 votash në Kuvend, atëherë, mundësia e dytë t’i jepet prapë PDK-së, veçse me një kandidat tjetër.
Në rrethana të tilla, PDK-ja, sipas burimit të gazetës duhet të vendosë nëse dëshiron ta “djegë” dikë në vend të Thaçit, në mënyrë që ta lerë atë si mundësi të dytë, apo do të shkojë drejtpërdrejt me Thaçin.















