Me një shkrim në Facebook, ajo kujtoi ditën kur NATO sulmoi caqet serbe dhe Kosova u çlirua.
Shkrimi i plotë i Besa Luzhës në Facebook:
Copëza kujtese
24 mars 1999
…Bardha thirri në telefon nga Spanja dhe me ngashërim na porositi të kemi kujdes sepse aeroplanët e Natos u nisën nga baza në Itali.
Ndërkohë unë po i shikoja vetë në Euro News duke u ngritur…”E di motër”-i thashë.”Po i shoh në TV”. U përshëndetëm me dëshirën që gjithçka të përfundojë mirë dhe të shpëtojmë.
Ne nuk e dinim si bëhet lufta apo bombardimi e e kërkonim aq shumë këtë veprim. Krejt çka kishim dëgjuar e dinim ishin përvojat nga bombardimi i Sarajevës. Mbyllja e xhamave me batanije, pakot me ushqim rezervë dhe çantat për secilin në rast ikje me gjërat më të nevojshme dhe nga pak para e numra telefonash të të afërmve. Si nënë e re, preokupimin kryesor e kisha si të mbroj fëmijën tim. Instiktivisht me të ndërprerë bisedën e futa vajzën në një skutë në mes divanit dhe stufës dhe e mbulova me batanije. Filluan sulmet. Një ndjenjë e çuditshme e përzier gëzimi, frikë, pasiguri. Të gjitha përnjëherë. Pranvera motra më e re, se di ku e gjeti momentin dhe mori aparatin e veç fotografonte. Babi na qetësonte me fjalë e mami thirrte të afërmit me telefon për ti pyetur a janë mirë. Papritmas një krismë shumë e madhe u dëgjua saqë e dridhi gjithë shtëpinë. Vajza doli nga skuta e frikësuar. E mora e përqafova fort e ndonëse vet e frikësuar deri në palcë, përpiqesha ta siguroja që gjithçka do të përfundojë mirë.
24.mars.2017
Ndërsa po shkruaj këtë kujtim Blenda po përgatitet të shkojë në punë, Jora u nis për në shkollë e Jonin e putha duke qenë ende në gjumë…Kam shumë punë sot, takim me studentë, organizimin e festivalit, pjesëmarrjen në ekspozitën e gjyshit të fëmijëve të mij…
Jeta është e bukur.
Lavdi të gjithë atyre që u flijuan që ne sot të jetojmë.























