Shkruan: Zejdush Kastrati
Interesi është litari më i fortë me të cilin thuren lidhjet mes njerëzve. (F. Guerrazzi)
Skandali “Bamieh” apo Eulexi që tani e disa ditë është bërë top lajm i medieve vendore por edhe në disa media ndërkombëtare me gjasë do të përjetojë fatin e aferave të shumta të kësaj natyre të ndodhura edhe nëpër shumë misione tjera ndërkombëtare në shtete tjera të botës në të cilat gjithnjë janë të përfshirë politikanë të rangut të lartë apo thënë shkurt e shqip burokratë ndërkombëtarë të cilët gjithnjë kanë mbetur të pandëshkuar (edhe kur janë vra njerëz) e herë-herë edhe të pahetuar por të harruar e me dosje të mbyllura gjithnjë me arsyetimin shumë banal se X afera është çështje e një hetimi të brendshëm dhe pikë!
Në veçanti rasti “Bamieh” që u publikua dhe doli në opinion fal edhe një pune shumë profesionale të gazetarit Kajtazi prezanton edhe një pozitivitet në raport me gjendjen aktuale në të cilën gjendet dhe po kalon Kosova pavarësisht gjithë këtyre strukturave ndërkombëtare që janë stacionuar që nga paslufta e këndej dhe për fat të keq siç dihet në të gjitha raportet që përgatiten dhe publikohen në forumet ndërkombëtare (jo vetëm raporti i progresit) gjithnjë i gjithë faji për dështimet dhe ngecjet në proceset integruese për plotësim të parakushteve po i faturohen popullatës së gjerë kosovare e cila edhe po penalizohet e po ndëshkohet edhe pse me shumë pak faje në çdo aspekt.
Rasti “Bamieh” është një pike uji në oqean krahasuar edhe me ngjarje dhe ndodhi tjera që fatkeqësisht disave pritet t’u dalë “tymi” më vonë por me siguri do të mungojë ndëshkimi dhe dënimi pasi që shumë nga këta burokratë ndërkombëtarë me perfiditet e shfrytëzuan dhe po e shfrytëzojnë edhe servilitetin e tepruar dhe veprimet puthadore të një pjese të madhe të lidershipit vendor të cilët për interesa personale dhe klanore nuk u “ha palla” as për shtet e as për milet kurse të huajve dhe më hiq.
Nuk ka kompani publike si PTK-ja KEK-u Aeroporti Dogana Trusti Fondi i Privatizimit…ku dora e hajnave ndërkombëtarë dhe atyre vendor nuk ka arritur që në masë të madhe duke u përmendur edhe shifra marramendëse e që janë keqpërdorur dhe keqmenaxhuar pa kurrfarë kriteri e kontrolli dhe atë mjete financiare të ardhura jo vetëm nga donatorë të ndryshëm ndërkombëtare, por edhe para të grumbulluara nga tatimpaguesit e ndershëm kosovarë por që janë bërë “rrush e kumbulla” dhe me siguri rezultati si gjithnjë edhe ne këto raste vetëm fushatë disaditëshe mediatike, premtime për hetime dhe në fund asgjë!
Ambienti aktual në veçanti gjatë këtyre viteve të pasluftës ishte një rast shumë i mirë e që edhe arritën ta shfrytëzojnë shumë disa që nuk janë të paktë falë edhe një pjese të madhe të faktorit ndërkombëtar për riinstalimin të pjesës dërmuese të disa personave të cilët edhe para vitit 1999 dalloheshin si pjesë e strukturave të ndryshme shtetërore dhe ekzekutive, jo vetëm të ish-Jugosllavisë por edhe të pushtetit absolut serb të kohës së Millosheviqit, e që pa ndonjë problem dhe verifikim të nevojshëm u instaluan edhe në Policinë e Kosovës Gjyqësor e Prokurori edhe në të gjitha Qeveritë në vazhdimësi në Presidencë Ambasada e qendra konsullore, e të mos flasim në të gjitha përbërjet e strukturave të 5 mandateve legjislative të Kosovës u futën dhe u pranuan pa asnjë analizë ”edhe maca edhe kuca” dhe kuptohet ja ku jemi dhe punët kështu i kemi?!
Kontributi dhe ndihma e një pjese të faktorit ndërkombëtar për çlirimin e Kosovës në veçanti SHBA-Së Gjermanisë… është e pakontestueshme dhe përjetësisht duhet çmuar e respektuar por për gjendjen në të cilën jemi dhe problemet me të cilat po ballafaqohemi patjetër duhet të themi se pos disa ndërkombëtarëve pjesën më të madhe të fajit e kanë i gjithë lidershipi kosovar që nga viti 1999 e deri më tash të cilët për të fituar pushtetin dhe fronin e të parit dhe për të mbetur me çdo kusht vetë në pushtet ofruan dhe krijuan aleanca me gjithkënd pa respektuar ama kurrfarë kriteri duke eliminuar në radhë të parë profesionistët dhe ata që dinë të thonë jo kur vidhet e tradhtohet ideali dhe shteti por të gjithë në vazhdimësi të çmendur nga të mirat që u sillte pushteti (e që i lejonte qëllimisht po ky faktor ndërkombëtar) u angazhuan me mish e shpirt duke përdor të gjitha mjetet që kishin në disponim për të eliminuar etiketuar e përbuzur pjesën dërmuese të kuadrove të ndershëm e profesional shpeshherë edhe duke i shpaluar tradhtarë e antikombëtarë, e kuptohet duke u lënë hapësirë atyre që gjendja aktuale nëpër të cilën kalonte vendi u konvenonte dhe jo rrallë angazhoheshin edhe për destabilizim e dekuarajim të situatës gjithnjë me moton “zgjate Zot…”
Nuk ka vend dhe shtet në rajon ku stafi ndërkombëtar gëzon përfitime dhe imunitet të pakufizuar në raport me qasjen dhe fushëveprimin me kompetenca të plota pothuaj në gjitha drejtimet dhe strukturat me të cilat duhet të identifikohet një shtet normal si është Kosova e që pretendojmë deklarativisht të bëhemi. Kuvendi i Kosovës si Institucioni më i lartë legjislativ i vendit ka kohë që ka humb identitetin dhe autoritetin e vet pikërisht për shkak të servilizmit të tepruar dhe nënshtrimit të pjesës dërmuese të “të zgjedhurve të popullit” karshi presioneve të faktorit ndërkombëtar e që është dëshmuar në shumë raste ku pësoi jo vetëm demokracia dhe parlamentarizmi por fitoi e keqja dhe u instalua një kastë sahanlëpirsash dhe injorantësh që po na gërditin gjithnjë e më shumë por edhe kur po dalin para medias.
Dua të prezantoj një rast i cili mendoj se meriton që opinioni i gjerë është mirë ta dijë dhe ta gjykojë e vlerësoj si fenomen jo i rrallë dhe i vetëm për rrethanat në Kosovë. Gjatë mandatit të kaluar kur njëri nga subjektet politike nuk dëshironte të votonte për aprovimin e një vendimi në Kuvend një person nga stafi i rangut të tret të një ambasade në Kosovë e njofton shefin e këtij grupi parlamentar që ditën e nesërme në ora 9:00 të mëngjesit të gjithë deputetët të shkojnë në takim në zyrat e X ambasadës për një takim me X ambasadorin.
Dhe vërtet ditën e nesërme të gjithë deputetët në kohën e caktuar u ”vizItuan” para ambasadës dhe çka ndodhi. Ata u pranuan në sallën e madhe të pritjes fare nuk u lejuan të ulen nuk u shërbyen ma asgjë nuk u takuan me ambasadorin por vetëm iu hap dera tjetër e daljes dhe u përcollën prej nga kishin ardhur. Por efekti u arrit. Në vazhdim të seancës me preferencë të liderit të këtij subjekti edhe këta deputetë i thane “po” aprovimit të këtij vendimi. Ata gazetarë që e përcjellin rregullisht Kuvendin e dinë se për cilin vendim dhe cilin subjekt është fjala.
Rasti-EULEX-i dhe akuzat e kunderakuzat mes tyre që nga prokurorja e pezulluar Maria Bamieh pastaj shefi i departamentit special të EULEX-it Jonathan Rathel italiani Frncesco Flori e Jorosllav Novotni pastaj z. Gentelini janë frustrime dhe konfrontime kryekëput për interesa personale dhe pa ndonjë qëllim që ndonjëherë e vërteta të dali në shesh apo të forcohet rendi e ligji në Kosovë dhe kanë ngjashmëri edhe me disa fenomene të viteve të fundit në Kosovë kur personalitete të caktuara që deri dje ishin bashkë sot nuk zgjedhin mjete por dëshirojnë ta shkatërrojnë njëri-tjetrin.
Jo për shkak të parimeve ideali apo ndonjë interesi nacional por populli me të drejt thotë:”I ka mujt zullumi”…















