Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bëri të qartë se PD është e vendosur për të bërë një reformë në drejtësi të pakapur nga politika.
Duke folur për gazetarët jashtë selisë së PD pas mbledhjes me ambasadorët në grupin parlamentar, Basha theksoi se e rëndësishme është që reforma të jetë një produkt i vlefshëm dhe kushti i vetëm i demokratëve është që gjyqësori të mos kapet nga politika.
Kreu i demokratëve u shpreh se nga kjo reformë janë frikësuar shumë persona që sot janë në pushtet.
“PD është partia e demokracisë dhe shtetit ligjor dhe si e tillë ka qenë prej ditës së parë mbështetja më e vendosur e reformës në drejtësi. Kushti i vetëm është moskapja e sistemit të drejtësisë.
Kjo mazhorancë po e rendit Shqipërinë si vendi më problematik për krimin e organizuar. Nevoja për reformën në drejtësi nuk ka qenë kurrë më e madhe. Kjo reformë bën nervozë shumë persona. Ne i dimë dhe i njohim, ata kanë sot në hierarkinë e pushtetit dhe ne kemi mirëkuptimin e plotë për tejkalimin e kësaj vështirësie.
Nervoziteti i atyre që i tremben gjyqtarëve dhe prokurorëve të pavarur, këtij presioni politik duhet t’i qëndrojë gjyqësori. Është e vështirë dhe mund të zgjasë, sepse rëndësi ka produkti dhe jo koha. Por ne do të punojmë së bashku me partnerët tanë. I vetmi shqetësim i PD është që qytetartë të kenë një drejtësi të pakapur nga policia. Neni 25 nuk është kërkuar nga PD dhe kurrë nuk do të pranohet nga PD”, tha Basha pas mbledhjes me ambasadorët.















