Lorik Cana pritet të jetë në fushë më 8 Tetor, për ndeshjen kualifikuese të Euro 2016 ndaj Serbisë.
Edhe pse vetë kapiteni i Kombëtares apo klubi i Nantes ende nuk janë shprehur zyrtarisht, shkalla e dëmtimit nuk është aq serioze sa u mendua fillimisht.
Imazhet e Lorikut që largohej nga fusha duke çaluar, në minutën e 55-të të ndeshjes ku Nantes fitoi me Lille, alarmoi stafin e Kombëtares dhe tifozët.
Kapiteni kuqezi iu nënshtrua menjëherë kontrolleve mjekësore, të cilat konfirmuan se nuk bëhet fjalë për ndrydhje të kaviljes së majtë.
Nga rënia e keqe pas duelit me Baptiste, lëndimi lidhet me pjesën e thembrës, në zonën që njihet si “tendina e Akilit”.
Kjo është një pjesë mjaft problematike për futbollistët, por në rastin e Lorik Canës sinjalet janë shpresëdhënëse. Burime të afërta me mbrojtësin konfirmuan për Supersport se 32-vjeçari vazhdoi kontrollet mjekësore dhe sipas gjasave do të jetë në fushë kundër serbëve.
Kapiteni kuqezi do të vazhdojë mjekimin e specializuar, për të bërë të mundur rikuperimin brenda një kohe sa më të shkurtër dhe të japë kontributin në ndeshjen vendimtare të përfaqësueses drejt ëndrrës në Europianin e Francës.
Nga sa mësohet, si masë parandaluese stafi mjekësor i Nantes dhe trajneri Der Zakarian vendosën që pavarësisht një rehabilitimi të mundshëm, Cana të mos luajë në kampionat të shtunën kundër Nice-s.
Gjendja e mbrojtësit do të shqyrtohet edhe nga stafi mjekësor i Shqipërisë, sapo të nisë grumbullimi i Kombëtares.
Nuk përjashtohet që kapiteni të sakrifikojë për të qenë në fushë, një vendim që lidhet edhe me pikëpyetjet rreth gjendjes së mbrojtësit tjetër të qendrës, Mërgim Mavraj.
SuperSport