“Zëri” nga burime të saj ka siguruar vendimin e KQZ-së të marrë dje, më 23 nëntor 2016, një ditë pasi PZAP-i kishte nxjerrë vendimin mbi anulimin e jocertifikimit të Bazajt.
“KQZ-ja nxjerr vendim që të mbetet në fuqi vendimi i KQZ-së me numër 1024/2016, të datës 12.11.2016, për certifikimin e kandidatit të pavarur Naim Bazaj për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar Komune në Gllogovc, që do të mbahen më 4 dhjetor 2016. Obligohet zyra që t’i gjejë procedurat për vendosjen dhe renditjen në fletëvotim të kandidatit të pavarur Naim Bazaj”, thuhet në vendimin e KQZ-së, i cili ka hyrë në fuqi menjëherë.
Mirëpo, ky vendim nuk po i brengos fort zyrtarët e PDK-së, sipas të cilëve fitorja e kandidatit të tyre Ramiz Lladrovci do të jetë e padiskutueshme.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaip Muja, ka thënë për gazetën “Zëri” se nuk ka asnjë ndikim sigurimi i emrit të Naim Bazajt në fletëvotime si kandidat i pavarur për kryetar të Drenasit, meqë gjithë fuqinë e ka përqendruar në mbështetje të PDK-së dhe të Lladrovcit.






















