Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka reaguar ashpër për arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë në bazë të një urdhër-arresti serb. Vasili e ka quajtur arrestimin një veprim të gabuar në kohë të gabuar.
“Ilir Meta ka komunikuar me familjen e Ramush Haradinajt, me ambasadorit tonë në Francë dhe faktorë të tjerë. Bëhet fjalë për një veprim absurd dhe që nuk ka ndihmuar dhe nuk ndihmon dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë. Ky ka qenë një veprim i gabuar në kohën e gabuar.
Të bëhet lirimi i menjëhershëm i z.Haradinaj dhe sqarimi i këtyre procedurave të vjetra duke ndaluar njëherë e përgjithmonë praktikën e ndalimeve të tilla dhe të paligjshme që i shkojnë kundër frymës që të gjithë faktorët po përpiqen të ndërtojnë mes Kosovës dhe Serbisë.
E tërë kjo ngjarje ishte zhvillim negativ i cili në qendër pati një person që ka demonstruar raportin më të hapur që është përballur me gjykatën e Hagës dhe çështja e tij ka fituar. Konkluzioni jonë është lirimi i menjëhershëm i tij do të ishte zgjidhja e vetme dhe mospërsëritja e tij. Ne e urojmë, e mbështesim dhe nxisim çdo lloj përpjekje që do realizonte lirimin e menjëhershëm të z.Haradinaj”, tha Vasili.